Qeveria austriake ka sinjalizuar se vendi po shkon drejt kufizimeve të rrepta për personat e pavaksinuar.

“Tashmë është e qartë se ky dimër dhe Krishtlindjet do të jenë të pakëndshme për të pavaksinuarit”, deklaroi sot kancelari Alexander Schallenberg.

“Duke pasur parasysh vrullin e valës së katërt të infeksioneve me koronavirus, mund të jetë vetëm çështje ditësh përpara se të pavaksinuarit të përballen me kufizime oraresh të rrepta”, shtoi Schallenberg.

Ai e quajti shkallën e vaksinimit prej rreth 65 për qind “në mënyrë të turpshme të ulët” ndërsa u bëri thirrje austriakëve që të vaksinoheshin menjëherë.

Numri i infeksioneve të reja me koronavirus në Austri është rritur sërish duke shënuar një rekord me 11,975 raste të regjistruara brenda 24 orëve, sipas autoriteteve.

Incidenca shtatëditore për 100,000 banorë u rrit në 751, tre herë më shumë sesa në Gjermaninë fqinje. Situata në klinika dhe spitale është përkeqësuar, ku mjekë dhe infermierë kanë bërë thirrje për marrjen e masave më të rrepta.

“Socialdemokratët kërkuan që dozat e treta të vaksinës kundër COVID-19 të administrohen menjëherë, pas vetëm katër muajsh, për të ndërprerë valën e infeksionit.

“Menaxhimi i krizës nga qeveria ishte një katastrofë”, deklaroi kryetarja e partisë Pamela Rendi-Wagner.

Më herët, ministri i shëndetësisë, Wolfgang Mueckstein në një përpjekje për të zbatuar vendimin per karantinimin e të pavaksinuarve, të paktën në provincat më të prekura të Austrisë së Epërme dhe Salzburgut, dështoi për shkak të rezistencës së udhëheqësve provincialë.

Kryeministri i Salzburgut, Wilfried Haslauer tha se,” nëse virologët do të mund t’ia dilnin, njerëzit do të mbylleshin në një dhomë. Atëherë, ata do të vdisnin nga depresioni ose do të vdisnin nga uria ose etja”.