Kryeministri britanik, Boris Johnson njoftoi sot se do të shtrëngojë masat e hyrjes në vendin e tij për të ngadalësuar përhapjen e variantit Omicron të COVID-19, dy raste të të cilit janë zbuluar tashmë në Britaninë e Madhe.
“Për shkak të variantit të ri, tani duhet të shkojmë një hap më tej dhe të vendosim një regjim të ri testimi”, tha kreu i qeverisë britanike në një konferencë shtypi.
“Ne do t’i kërkojmë kujtdo që hyn në BM të bëjë një test PCR dy ditë pas mbërritjes dhe të izolohet derisa të marrë rezultatin”, shtoi Johnson.
Gjithashtu, britanikëve u është kërkuar sërish të mbajnë maska në dyqane dhe në transportin publik, në përgjigje të ardhjes së variantit Omicron në Angli.
Johnson njoftoi edhe se kontaktet e rasteve të Omicron duhet të izolohen për 10 ditë, derisa të dihet rreziku nga mutacionet e tij.