Komisioni i Epidemisë i parlamentit danez miratoi planet për të rifutur disa kufizime të lidhura me koronavirusin.
Ministri i Shëndetësisë, Magnus Heunicke theksoi se ”një shumicë e madhe parlamentare është në favor që Covid-19 të etiketohet si një sëmundje serioze sociale”.
Heunicke theksoi se vendimi fillimisht është i vlefshëm për një muaj.
Kjo autorizon qeverinë të marrë masa për të frenuar përhapjen e koronavirusit pa pasur nevojë të kërkojë miratimin e parlamentit, pasi mjafton që komisioni të japë miratimin e tij për dispozitën.
Ministri i Ekonomisë, Simon Kollerup njoftoi në një deklaratë për shtyp se ”nga e premtja do të jetë e nevojshme të tregohet sërish pasaporta Covid-19 kur shkoni në një restorant apo klub”.
Pasaporta vërteton një vaksinim, rikuperim ose test negativ. Kërkesa për pasaportë vlen për të rriturit dhe fëmijët mbi 15 vjeç.
Pasaporta do të kërkohet gjithashtu për ngjarjet publike me shumë pjesëmarrës.