Italia ka vazhduar thirrjet ndaj personave të pavaksinuar për t’iu përmbajtur rregullave të rrepta kundër Covid-19 duke theksuar se kontrollet kufitare duhet të forcohen me rritjen e numrit të rasteve me koronavirus.
Politikanët rajonalë në veçanti po i bëjnë thirrje qeverisë kombëtare që të vendosë kufizime ndaj personave që refuzojnë të bëjnë vaksinën, për të shmangur masën e izolimit dimrin e ardhshëm.
“Nëntëdhjetë për qind e italianëve nuk duhet të frenohen nga 10 për qind e personave që nuk e kuptojnë rëndësinë e vaksinimit dhe duan t’iu imponojnë rregullat e tyre shumicës,” shkroi sot në Twitter Giovanni Toti, presidenti i rajonit të Ligurias.
Toti bëri thirrje për një takim midis liderëve të rajoneve dhe kryeministrit Mario Draghi për të diskutuar masat e mëtejshme, duke parashikuar një valë të katërt të rasteve me Covid-19 e ngjashme me vendet e tjera evropiane.
Lideri i rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana kërkon gjithashtu masa më të ashpra për personat e pavaksinuar.
Italia po përdor një sistem ngjyrash për të vendosur se cilat kufizime për parandalimin e përhapjes së COVID-19 janë në fuqi. Aktualisht, të gjitha rajonet janë të bardha, niveli më i ulët i sistemit.