Ka shkuar në 250 milionë numri i të infektuarve me Covid, pas një rritje rekord në Europën Lindore. Mesatarja e rasteve ditore ka shënuar rënie prej 36% në tre muajt e fundit, sipas Reuters, por virusi vazhdon të infektojë 50 milionë njerëz çdo 90 ditë, kryesisht për shkak të mutacionit Delta.

Ekspertët e shëndetit publik janë optimistë se disa vende kanë kapërcyer fazën më të keqe të pandemisë, falë vaksinave dhe imunitetit natyror. Rastet vazhdojnë të rriten në 55 nga 240 vende, me Rusinë, Ukrainën dhe Greqinë që kanë shënuar rekord të infektuarish që nga kulmi i pandemisë dy vite më parë.

Ndërkohë fushata e vaksinimit në Europën Lindore është ndër më të ulëtat në Kontinentin e Vjetër. Më shumë se gjysma e rasteve në mbarë botën janë regjistruar në Europë: një milion çdo katër ditë, raporton abcnews.al

Disa rajone të Rusisë njoftuan javën e kaluar se mund të vendosin masa shtesë kufizuese, pasi niveli i vdekjeve për shkak të komplikimeve të COVID-19 ka shënuar rritje. Më shumë se gjysma e popullsisë së botës nuk ka marrë ende dozën e parë të vaksinës COVID-19, sipas Our World in Data. Norma bie ndjeshëm – nën 5% – në shtetet me të ardhura më të ulëta.

Rikujtojmë se Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe organizatat e tjera të ndihmës u kanë bërë thirrje udhëheqësve të 20 vendeve më të industrializuara të botës për të financuar një projekt prej 20 miliardë dollarësh për të shpërndarë vaksina, teste dhe ilaçe në vendet më të varfra në 12 muajt e ardhshëm.