Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryeministrat e 16 landeve të Gjermanisë zhvilluan dje një video-konferencë mbi krizën e shkaktuar nga COVID-19, ndërsa një debat u ndez mes partive politike për të gjetur mënyrat e duhura për t’iu përgjigjur më mirë valës së katërt të infeksioneve në rritje në vend.
Gjatë takimit, kancelarja Merkel e konsideroi perspektivën e pandemisë si ”dramatike”.
Sipas burimeve, Merkel gjithashtu ka paralajmëruar se disa instrumente për të mbajtur situatën nën kontroll nuk do të jenë më në dispozicion për qeveritë e landeve, pasi afati i dispozitave aktuale të emergjencës përfundon javën e ardhshme.
Më herët në parlament, anëtarët e Kristian-demokratëve (CDU) të Merkelit shprehën shqetësime të ngjashme, duke kritikuar masat zëvendësuese dhe konsideruar ato të pamjaftueshme të paraqitura nga tre partitë që kërkojnë të formojnë një koalicion të ri.
Aktualisht, kancelarja Merkel pritet të diskutojë me udhëheqësit e shtetit rregullat që përcaktojnë aksesin në shërbimet publike dhe mënyrat për të rritur kuotën aktuale të vaksinimit prej rreth 67.8 për qind, në Gjermani.
Burimet raportuan se Merkel ka propozuar të ofrojë 27 milionë vaksina në një përpjekje për të parandaluar valën e katërt të transmetimit të virusit.