Pfizer njoftoi so se ka kryer aplikimin në Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) për miratimin e përdorimit urgjent të ilaçit kundër COVID-19 në formë pilule.

Kërkesa përfshin të dhëna nga analizat më të fundit të kompanisë farmaceutike amerikane. Pfizer njoftoi më 5 nëntor se pilula PAXLOVID ul rrezikun e shtrimit në spital ose vdekjes nga efektet e koronavirusit me 89 për qind.

“Nëse PAXLOVID miratohet si ilaçi i parë antiviral oral i këtij lloji, i krijuar posaçërisht për të luftuar SARS-CoV-2, ai mund të rekomandohet për trajtimin në shtëpi të pacientëve me rrezik të lartë në shenjat e para të infeksionit”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Deri më sot, të gjitha trajtimet e COVID-19 të miratuara nga FDA kërkojnë injeksion intravenoz nën mbikëqyrjen e profesionistëve të kujdesit shëndetësor në spitale dhe klinika.

“Me më shumë se 5 milionë vdekje dhe jetë të panumërta të prekura nga kjo sëmundje shkatërruese në nivel global, ekziston një nevojë urgjente për opsione trajtimi që të shpëtojmë jetë”, tha presidenti dhe drejtori i përgjithshëm, Albert Bourla.

Ai shtoi se,”synimi i tyre është që pacientët ta marrin këtë medikament sa më shpejtë të jetë e mundur si dhe të presin me padurim bashkëpunimin me FDA-në e SHBA-së dhe agjencitë e tjera rregullatore në mbarë botën”.

Pfizer njoftoi të martën se kishin nënshkruar një marrëveshje licensimi me organizatën ndërkombëtare ‘Medicines Patent Pool’, e mbështetur nga Unitaid, e cila lejon prodhuesit e tjerë të barnave të prodhojnë ilaçet e tyre antivirale për COVID-19 në 95 vende me të ardhura të mesme dhe të ulëta, të cilat përbëjnë afërsisht 53 për qind të popullsisë së botës.

Kompania vuri në dukje se ka filluar të investojë deri në 1 miliard dollarë për të mbështetur prodhimin dhe shpërndarjen e këtij medikamenti.

Pfizer është kompania e dytë në botë që zhvillon një pilulë për trajtimin e virusit, pas ilaçit oral të Merck, Molnupiravir.