Dimri i këtij viti është i pari ku në qarkullim do të jenë viruset gripale dhe koronaviruset. Epidemiologët thonë se kjo situatë pritej ndaj duhen marrë masa për të frenuar përhapjen.

“E para patjetër që gripi do hynte se kishim parë vatra në Europë, e dyta është pjesërisht arsyetim i tërheqjes së koronavirusit duke lënë kështu hapësirë, numrat nuk janë të rëndësishëm akoma. Megjithatë ne duhet të bëhemi gati për t’i parandaluar sa më shumë të jetë e mundur dhe logjika është shumë e thjeshtë, personat kanë një vaksinë të gripit katërvalente dhe në e këshillojmë ta marrin”.

Sipas Alimehmetit gripi ka tendencë të prekë më shumë fëmijët, por nuk ka aq shumë shtrime spitalore dhe fatalitete sa Covid ndaj zgjidhja për të dyja mbetet imunizimi.

“Duke pasur njerëz sa më shumë të imunizuar qoftë në mënyrë natyrore qoftë në mënyrë vaksinore, numri në spital po bie, numri i vdekjeve po bie dhe është totalisht i dominuar nga personat e paimunizuar deri tani, koncepti është i njëjtë, vaksina kundër Covid kemi le ta bëjmë, vaksina kundër gripit kemi le ta bëjmë”.

Aktualisht në vendin tonë numërohen mbi 8 mijë persona të infektuar me koronavirus, ndërsa me grip janë evidentuar vetëm 2 raste me AH1N1.