Nga Mero Baze
Dy vjet më pare, në kulmin e angazhimit politik të Ilir Metës kundër reformës në drejtësi dhe rezistencës për të kontrolluar përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, që do të kishte në dorë fatin e tij, ai paditi Adrian Dvoranin, kreun e Këshilit të Emërimeve në Drejtësi, për shpërdorim detyre, pasi sipas tij, kishte çuar për botim në fletoren zyrtare një vendim që nuk i takonte ta çonte dhe kishte dërguar listat për emërime në distancë kohore, që të krijonte konflikt mes emërimeve të presidentit dhe Parlamentit për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
SPAK, i cili mori denoncimin banal të Ilir Metës, në të vërtetë nguroi për një kohë të gjatë ta sprapste kërkesën pa asnjë arsye juridike, duke i dhënë oksigjen propagandës së Ilir Metës kundër reformës në drejtësi.
Qëllimi i Ilir Metës ishte që përmes padisë, Ardian Dvorani të konsiderohej person nën hetim dhe të përdorej kjo padi, për ta penguar që të mos kandidonte sërisht për kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ky ishte dhe objektivi i Ilir Metës. Në denoncimin e tij për shpërdorim detyre nuk ka asnjë element të veprës penale, pasi të dyja “faktet” nuk ekzistojnë realisht.
As ekziston ndonjë fakt që Dvorani ka çuar për botim në fletore zyrtare një njoftim emërimi, dhe as është vepër penale fakti që propozimet kanë shkuar të ndara në periudhë kohore, pasi interpretimi i ndryshëm nuk është çështje kohore, por çështje opinionesh. Parlamenti dhe Ilir Meta e interpretojnë në mënyrë të ndryshme atë dispozitë ligjore dhe nëse ua çon në një ditë, edhe nëse ua ndan në ditë të ndryshme, njësoj do mbajnë qëndrim ndaj tyre.
Pra padia e Ilir Metës ndaj Dvoranit kishte objektiv shmangien e tij nga kandidimi për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, dhe nga ana tjetër për të treguar mosdakordësinë e tij me mbështetjen e SHBA ndaj Dvoranit, pasi e vlerësuan atë si një nga 12 kampionët të drejtësisë në botë.
Pra ishte një hakmarrje e dyfisht ndaj Dvoranit dhe SHBA. E vetmja gjë përse vlen kjo këmbëngulja e Ilir Metës ndaj Dvoranit dhe kjo “përfillja” e madhe e SPAK ndaj denoncimeve të tilla për manovra politike, është sikur SPAK të përdorë të njëjtat kritere ndaj shpërdorimit të detyrës nga Ilir Meta si president, dhe pasojat që i ka sjellë shoqërisë shqiptare.
Nëse merren arsyet e paraqitura nga Komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e Ilir Metës, aty janë të renditura disa veprime të rënda antiligjore të presidentit, që për nga dëmi që kanë shkaktuar dhe qëllimi për të cilat janë kryer, janë të dënueshme me ligj.
Jo më larg se dje Ilir Meta ka pranuar publikisht, madje duke dhënë dhe detaje, se ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit dhe ka rrezikuar futjen e vendit në luftë civile, se ka dashur të ndihmonte Lulzim Bashën të dilte nga kriza politike ku kishte hyrë. Ky është një fakt që provohej dhe atëhere kur ndodhi, por tani pohohet nga vetë autori.
Pra nëse SPAK është po aq formal ndaj Ilir Metës duke u nisur nga arsyet e renditura prej Parlamentit për shkarkimin e tij, sa ka qenë formalisht kundër një gjyqtari me të cilin Ilir Meta ka konflikt personal, pasi ka gjykuar një rast të tij, Ilir Metën duhet ta presë me pranga sapo të mbarojë mandatin e presidentit, ose sapo t’ia ndërpresin atë.
Ndoshta dhe e ka këtë plan dhe nuk e dimë, por përfillja e madhe e Metës, duke u “menduar” 2 vjet për të thënë që Dvorani nuk ka asnjë lidhje me këto akuza, është një mënyrë për t’i dhënë oksigjen gënjeshtrave të Ilir Metës dhe shantazheve të tij ndaj drejtësisë shqiptare. Nga e cila ndjehet i rrezikuar.