Nga Lorenc Vangjeli
Lulzim Basha dhe njerëzit e tij kanë bërë gabimin fillestar të gjithë të pavendosurve. Ata pranuan të hyjnë në luftë në kohën, vendin dhe me mjetet që ju kushtëzoi kundërshtari i tyre. Në artin ushtarak një gabim i tillë nuk i lejohet as kapterëve fillestarë, kurse në politikën luftarake shqiptare, kjo mund të jetë një nga ato ngjarje që mund të kushtëzojnë pa kthim karriera dhe të përmbysin situata. Siç ndodh gjithmonë kur vendos turma të niset për udhë, por nuk di ku shkon, që marshon drejt një objektivi të gënjeshtërt, por nuk di çfarë të bëjë me të, kur kërkohet një fitore, e cila herët a vonë shndërrohet në një plaçkë lufte që duhet të dorëzohet sërish.
Ndodhi pikërisht kështu: beteja mes dy fraksioneve në PD, mes krahut legjitim dhe mtonjësve të inatosur, një grup i kompozuar nga nostalgjia, inati, frustrimi, hakmarrja, besnikëria apo edhe idealizmi dhe bindja vetjake, do të ndodhë me kushtet që diktoi Sali Berisha. Do të kryhet në dhjetor, në Kuvendin Kombëtar dhe me votë demokratësh. Për momentin, meqënëse politika është perceptim, Berisha perceptohet në avantazh, në mësymje dhe me mundësi fitoreje, pikërisht sepse ai i ka shërbyer shumë më shumë fitores së tij, ka besuar tek ajo dhe ka bërë beteja për hir të fitores së tij. “Kuvend ju premtova, kuvend po ju jap”, të paktën këtë revansh Berisha mund t’jua afrojë si trofe të parë besnikëve të tij të paepur.
Përballë Berishës, kundërshtarët që ishin absolutisht në avantazh në nisje, por që ishin njëkohësisht të paqartë, kaotikë dhe tmerrësisht të pavendosur dhe pa vizion e parashikueshëri për të nesërmen, regjistruan humbjen e parë pa betejë: pranuan me shumë vonesë betejën e pashmangshme. Nëse Basha dhe njerëzit e tij, me gur dhe arrë në dorë, do të kishin vendosmërinë për ta këputur këtë nyje që në krye të herës, ata duhet të bënin pikërisht hapin që bënë në fund, thirrjen e Kuvendit. Duhet t’i përgjigjeshin me akte politike lëvizjes politike të Berishës. Koha e humbur mes përpëlitjeve për leximin e statutit, debati për interpretimin e tij e deri tek hamendësimet për vërtetësinë e firmave të mbledhura, ndërkohë që Berisha ishte qartësisht i vendosur për hapat e tij, sot ngjajnë me dilemat e priftërinjve bizantinë: Basha dhe njerëzit e tij diskutonin për seksin e ëngjëjve, kur si otomanët dikur muret e Kostandinopojës, Berisha po ju shkallmonte dyert e zyrave. Kur Basha mprihte bisturinë delikate të legjitimitetit, Berisha ushtrohej me sopatën e forcës. PD, sot më shumë se dje madje, ka një kryetar legjitim. Me një mandat të qartë nga antarësia. Ai ka emrin e regjistruar në gjykatë. Ka zyrën kryesore në seli, sekretaren në paradhomë dhe e mban këtë titull edhe në kartëvizitat e tij. Kështu ishte dhe kështu parashihej të ishte deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të pas katër vjetëve. Një fitore e mundshme e tyre, do ta bënte të pakuptimtë ndryshimin e kreut të partisë, një humbje mund të risillte dhe njëherë bindjen e humbësit: zgjedhjet i vodhi qeveria! Ky ishte shtrati i lumit të vdekur demokrat, deri në momentin e shpërthimit të konfliktit në oborrin e PD-së. Përgjigja që ju dha atij konflikti nga PD-ja legale, ishte ndoshta kurdoherë lëvizja më e gabuar si akt dhe akti më i vonuar në kohë. Trajektorja e qëndrimeve të Bashës dëshmon se qasja në nisjen e tyre, nuk ka pikën e ngjashmërisë me veprimet e fundit, kur ai zgjodhi të mbajë Kuvendin. Duke pranuar kështu de facto atë që kishte refuzuar dy muaj me rradhë.
Për paradoks, pikërisht në pikën ku do të duhet të bashkoheshin të dy palët, që të diskutonin sesi do të mund të shkriheshin dy kuvendet në një, si do të mund të harmonizohej rendi i ditës dhe mbi të gjitha, si do të tentohej kohezioni i partisë, pra, pikërisht këtu, tensioni u bë shumë më i madh. Historia e Sali Berishës është jetëshkrimi i një politikani refraktar; ai do të kundërshtonte dhe forcën e gravitetit nëse ajo nuk do t’i interesonte në momentin e caktuar. Në këtë rast, ai dëshmoi se kuvendi si mjet dhe partia e tij si qëllim, nuk janë synimet e tij kryesore. Njëhershëm me të edhe Basha, që sheh tek posti i tij dhe e nesërmja e PD-së, të vetmen lidhje të tij me partinë. Edhe njëri, edhe tjetri, pavarësisht përbetimeve, janë barra dhe jo mbartësit e peshës që rëndon PD-në. Edhe pse në dukje i në avantazh, përdorimi i PD-së si jelek shpëtimi për Berishën, ka më shumë mundësi ta ekspozojë atë ndaj të tjerë lloj jelekësh, nga ata me eksploziv, butonin e të cilëve mund ta telekomandojnë bashkërisht nga Uashingtoni, nga Partitë Popullore apo edhe nga ndonjë tjetër pushtet në Shqipëri që bashkëdrejtohet jo vetëm me vullnet shqiptarësh. Nëse Berisha marshon drejt selisë së PD-së së “çliruar” në mbrëmjen e vonë të 11 dhjetorit, ai do të ketë nënshkruar në të njëjtën kohë me fitoren, edhe humbjen e tij. I kënaqur ta krahasojnë me rikthimin në Paris të Napoleonit mbas internimit të parë, Perandori Blu i Tiranës, duhet të kujtojë se nga Vaterloja e ndajnë vetëm njëqind ditë. Dilema e vetme është çfarë do të tërheqë me vete në mbytjen e tij, kësaj here përfundimtare dhe sesa do të zgjasë agonia politike që ai i diktoi edhe njëherë partisë së tij; dilema se çfarë çmimi do të ketë kura që do të vrasë padyshim partinë e sëmurë, atë parti që ai për paradoks, po kërkon ta çlirojë nga një politikan me pavendosmëri seriale, që pretendon se edhe me tre herë, nuk quhet humbës.