Në 5 muaj nga fillimi i funksionimit të spitalit rajonal Memorial të Fierit, rreth 22 mijë qytetarë kanë përfituar shërbime 100 % falas, me sistem referimi.
Në një prononcim për ATSH-në, drejtoresha e këtij spitali, Rudina Degjoni bëri një bilanc të 5-mujorit të parë të punës, ku theksoi se “për qytetarët e Jugut janë dhënë 21,932 shërbime spitalore në 150 ditë, ose 146 shërbime çdo 24 orë”.
Në 5 muaj, sipas Degjonit, “janë realizuar 6,477 shërbime ambulatorike dhe 5,914 shërbime imazherike 100 % falas me sistem referimi”.
Spitali rajonal Memorial Fier u ofron shërbim 550 mijë banorëve të Jugut.
Ky spital do të shërbejë si qendër ekselence, ndërkohë që operohet me staf të përbashkët mjekësor dhe infermieror shqiptaro-turk.
Në total, ai ka një ekip prej 206 punonjësish, prej të cilëve 53 janë staf turk dhe 153 staf shqiptar.
I ndërtuar në një kohë rekord, me një kapacitet prej 150 shtretërish, Spitali rajonal Memorial i Fierit është investim i Republikës së Turqisë dhe ofron shërbime të nivelit terciar për të gjithë rajonin e Jugut.
Spitali po administrohet dhe menaxhohet nga një ekip i përbashkët shqiptaro-turk, të cilët po punojnë për të formësuar modelin e ri të autonomisë spitalore në sektorin publik.
Spitali rajonal Memorial Fier ofron shërbimet e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.