Më herët gjatë këtij viti qeveria ka bërë të ditur planin madhor për modernizimin e bregdetit të Vlorës, duke zhvendosur nga zona e banuar portin e sotëm industrial dhe zëvendësimin e tij me një port të ri dedikuar turizmit. Porti i ri turistik do të jetë investim i një “joint venture” të përbërë nga kompanitë “Marina di Valona” sh.p.k., “Brunes” sh.p.k., “Ndregjoni” sh.p.k. dhe “Marina Projects”. Vlera e përgjithshme e investimit do të jetë 2,8 miliardë lekë, e kryer brenda 3-4 viteve, kurse të ardhurat që do t’i sjellë ekonomisë së qytetit kur të fillojë funksionimi, do të jetë rreth 4,3 milionë euro në vit.
Në situatën aktuale Vlora dhe gjithë vendi ynë janë të vetmit në rajon pa infrastrukturën e duhur detare për të pritur turizëm vërtet elitar, në një kohë që porti i ri turistik do të ketë kapacitet për rreth 500 mjete lundruese të tipit jahte, megajahte apo anije turistike. Për më tepër, Marina Vlorë do të ofrojë edhe shërbimet mbështetëse për këtë lloj flote, p.sh. furnizimin me karburant, energji dhe ujë, duke e çuar vlerën totale për komunitetin në 20 milionë euro ne vit.
Marina Vlorë pritet të fillojë shumë shpejt punimet dhe të kthehet në një qendër aktive për të gjithë zonën.