Kryesia maratonë e Partisë Demokratike zhvilluar të hënën mbrëma ravijëzoi “dy” PD ku si Basha ashtu edhe Berisha do të përfaqësohen secili me Kuvendin e vetë në muajin dhjetor.
Debati i parë dhe kryesor lidhet pikërisht me delegatët dhe firmat që ata kanë hedhur.
Sali Berisha pretendon se janë 4200 firma “bio” dhe nëse qëndron pretendimi i tij i paverifikuar ende atëherë ajo e Lulzim Bashës me 18 dhjetor nuk do të kishte kuptim, sepse minimalisht do të përfaqësonte pakicën.
Në letra, PD ka 7800 delegatë ku 1200 prej tyre ndodhen jashtë vendit.
Secili prej tyre mund të mbledhë Kuvendin nëse marrin firmat e 1800 delegatëve në bazë të statutit.
Gjithçka do të varet nga pjesëmarrja dhe fakti kryesor nëse Basha do të njohë ”delegatët” e Berishës dhe anasjelltas.
Për të kaluar më pas tek debati i dytë; vendimet e secilit Kuvend.
Në Kuvendin e 11 dhjetorit, (që Berisha është i vendosur ta mbledhë) do të diskutohet për “analizën e qëndrimeve të Bashës”
“…Analiza e qëndrimeve dhe akteve të Kryetarit Basha ndaj parimeve themelore e normave të statutit dhe ndaj forumeve të Partisë Demokratike…”, thuhet në një nga piklat e axhendës së Berishës që lë të hapur për pasojë shkarkimin e Bashës.
Edhe axhenda e Lulzim Bashës ka në thelb përpos të tjerave një vendim po aq të diskutueshëm sa jo e Berishës.
“…Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës”, thuhet në një nga pikat e axhendës së Kuvendit të 18 dhjetorit, një pikë kjo që lë të hapur mundësinë e përjashtimit të Berishës.(SI)