Projekti “Shkollat për shëndetin”, i financuar nga qeveria zvicerane, synon të promovojë sjelljen e shëndetshme dhe ruajtjen e fëmijëve nga sëmundjet e transferueshme.

Në ceremoninë e promovimit të këtij projekti ishin të pranishëm ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ministrja e Arsimit Evis Kushi, ambasadori zvicerian Adrian Maitre, mësues, nxënës, etj.

Ministja Manastirliu tha se me anë të këtij projekti do të nxiten përmes informimit, sjelljet e shëndetshme mes fëmijëve të shkollave 9-vjeçare në Shqipëri.

“Më shumë se 80 % e barrës së sëmundshmërisë vjen nga sëmundjet jo të transmetueshme. Ndaj, është e rëndësishme të adresojmë sa më parë sfida si obeziteti, për shëndetin dhe mirëqënien e fëmijëve sot dhe për të patur një popullatë më të shëndetshme nesër”, tha Manastirliu.

Ndërsa ministrja Kushi u shpreh se, “projekti “Shkollat për Shëndetin”, financuar nga qeveria zvicerane, do të jetë një kontribut dhe vlerë e shtuar për të realizuar objektivin tonë për ndërgjegjësimin dhe promovimin e sjelljeve të shëndetshme dhe ruajtjen e fëmijëve nga sëmundjet e transferueshme”.

Ky projekt synon promovimin e sjelljeve të shëndetshme mes fëmijëve të shkollave 9-vjeçare (të moshës 6-16 vjeç) në Shqipëri me qëllim që ato, familjet e tyre përkatëse dhe komunitetet në tërësi të angazhohen në praktika dhe sjellje të shëndetshme përfshi ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik, mos përdorimin e duhanit, alkoolit ose drogave, promovimin e shëndetit mendor, promovimin e shëndetit seksual dhe riprodhues, higjienën personale, mbrojtjen e mjedisit, si dhe promovimin e sjelljeve të tjera të shëndetshme.