Ata që e njohin mirë pëshpëritin se edhe Ibrahimovic ka frikë nga diçka. Edhe ai, “Mbreti Zlatan”, njeriu që e quan veten zot i futbollit dhe që çdo sfidë e përballon me besimin më të madh në vetvete. Edhe ai ka një hije që e shqetëson… Kjo anë e errët është e ardhmja.
Në të dyzetat, pas një jete të kaluar në fusha futbolli, Ibra ende nuk e sheh veten larg drejtkëndëshit të gjelbër. Ai nuk mund të fokusohet në imazhin e vetes pa topin në këmbë. Trajner, aktor, showman…, asgjë nuk e bind plotësisht, tani për tani. Dhe kështu, data fatale e “pensionit” e trysnon, por do t’i fshihet asaj siç do bënin mbrojtësit kundër tij, të cilët i ka tallur shumë herë me gola dhe goditje klasi.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, synimi i 40-vjeçarit suedez është që të mos tërhiqet. E thënë ndryshe, të rinovojë edhe për një sezon me Milanin, deri më 2023, të fitojë titullin kampion me fanellën kuqezi dhe të luajë me Suedinë e tij në Botërorin e Katarit, vitin e ardhshëm. Tre objektiva që e shtyjnë atë përpara, të sfidojë moshën dhe gjithçka tjetër.