Nga Adriatik Doçi
Për 12 vite me radhë, Fatmir Mediu, vijon të fshihet pas manovrave procedurale dhe alibive, për të mos dalë para gjykatës për rolin e tij në ngritjen e biznesit të vdekjes në Gërdec, tragjedinë më të madhe që ka prodhuar korrupsioni i nivelit të lartë në Shqipërinë pluraliste. Ndonëse ka dyshime të forta se Fatmir Mediu ka vepruar për llogari të Sali dhe Shkëlzen Berishës, ish-ministri i Mbrojtjes i trembet shqyrtimit nga gjykata të përgjegjësisë së tij në ligjërimin e biznesit të korrupsionit, me pasojë 27 jetë të humbura, rreth 300 të plagosur dhe qindra shtëpi dhe biznese të rrafshuara. Lëvizjet e para të Fatmir Mediut për t’i shpëtuar gjykimit me procedurë datojnë zyrtarisht në 9 shtator 2009, ku avokatët e tij, Ardian Visha dhe Petrit Serjani, paraqitën një memo në Gjykatën e Lartë, ku kërkuan pushimin e çështjes, me argumentin se Mediu ishte zgjedhur deputet, duke u veshur sërish me imunitet. Kjo rrethanë e re, sipas tyre, nuk lejonte gjykimin e tij.
Kuvendi ia kishte hequr një herë imunitetin Mediut në 16 qershor 2008, por sipas avokatëve, Mediu e kishte rifituar sërish imunitetin pas zgjedhjes si deputet në zgjedhjet e qershorit 2009. Pesë ditë më vonë, në 14 shtator 2009, trupa gjykuese pranë Gjykatës së Lartë, me shumicë votash, pranuan këtë argument të diskutueshëm dhe të paprecedentë, duke vendosur mbylljen e dosjes, pa e kaluar në gjykim. Pro pushimit të çështjes kanë votuar anëtarët Besnik Imeraj, Ardian Nuni dhe Majlinda Andrea. Kundra votuan Evelina Qirjako dhe Evjeni Sinoimeri, të cilat arsyetonin se Kuvendi ia kishte hequr një herë imunitetin Mediut dhe se ky vendim ishte i vlefshëm, pavarësisht se Mediu ishte zgjedhur sërish deputet.
Në vitet 2010 dhe 2011, familjarët e viktimave kërkuan disa herë hapjen e dosjes dhe vijimin e Gjykimit të Mediut për Gërdecin. Disa prej denoncuesve, si Zyber Lela, u tërhoqën rrugës. Ish ministri i Mbrotjes pretendoi se vijonte të kishte të njëjtin status me imunitet si në shtator të vitit 2009, ku për rrjedhojë nuk mund të gjykohej. Krahas, imunitetit, Mediu shtoi edhe një alibi të re, atë të gjykimit një herë nga Gjykata e Lartë. Kërkesat e familjarëve të viktimave u bashkuan dhe u rrëzuan nga Gjykata e Lartë, me pretendimin se nuk kishte prova penale që fajësonin Mediun.
Në vitin 2012, fëmijët Alketa Azizaj dhe 10-vjeçari R. Durdaj, të gjymtuar nga shpërthimi i Gërdecit, i kërkuan Gjykatës së Lartë përmes përfaqësuesit të tyre, rigjykimin e Fatmir Mediut. Gjykata e Lartë pushoi çështjen, këtë radhë me argumentin se vepra penale për të cilën akuzohej Mediu ishte amnistur nga Kuvendi, në kuadër të amnistisë së madhe për 100 vjetorin e Pavarësisë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Mediut, çuditërisht, këtë herë kërkuan vijimin e gjykimit. Në vitin 2012 u hoq imuniteti i deputetëve për ndjekjen penale. Në vitin 2013, 18 familjarë të viktimave të Gërdecit i kërkuan Adriatik Llallës, në atë kohë Prokuror i Përgjithshëm, të riniste hetimet për Fatmir Mediun, në kushtet kur në vitin 2009, Gjykata e Lartë e kishte mbyllur dosjen për shkak të imunitetit. Kërkesa u përsërit edhe një herë brenda vitit 2013. Dy kërkesat familjarëve nuk mori kurrë përgjigje.
Refuzimi në heshtje i Adriatik Llallës për të rihapur çështjen do të ishte argumenti kryesor i gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Erjon Çela, i cili në korrik të vitit 2021, ndaloi SPAK që të merrte të pandehur Fatmir Mediun.
Në prill të vitit 2016, ndërsa paditë civile dhe penale vijonin dhe rrëzoheshin, Fatmir Mediu hodhi një alibi të re, sipas të cilës pas shpërthimit të Gërdecit mund të fshihej dora e agjenturave të huaja, por kjo tezë nuk u paraqit në asnjë proces gjyqësor, pasi nuk kishte asnjë fakt mbështetës.
Në 25 janar 2017, Gjykata Administrative e Apelit vendosi dëmshpërblimin e parë civil të familjarëve të viktimave dhe të plagosurve në Gërdec, duke veshur me përgjegjësi Ministrinë së Mbrojtjes dhe shpallur shpërthimin në Gërdec një krim shtetëror. Vendimi ishte një mesazh i fortë që konfirmonte implikimin e ish zyrtarëve të lartë në biznesin e Gërdecit.
Në 26 shkurt 2021, familjarët e viktimave të Gërdecit kërkuan SPAK hapjen e dosjes dhe gjykimin e Fatmir Mediut. SPAK i vuri në lëvizje Gjykatën e Lartë, e cila u shpreh se hapja e dosjes ishte në kompetencë të SPAK dhe Gjykatës Speciale.
Në 6 maj 2021, SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë rihapjen e procesit gjyqësor ndaj Fatmir Mediun për Gërdecin. Për shqyrtimin e kërkesës u caktua gjyqtari Erjon Çela.
Fatmir Mediu kundështoi rihapjen e dosjes dhe gjykimin e tij, me anë të avokatëve, duke pretenduar se SPAK nuk ka regjistruar një çështje të re për të, se kanë kaluar afatet e gjykimit dhe vepra penale për të cilën akuzohet është parashkruar, se kërkesa për gjykimin e tij është përsëritur disa herë gjatë 12 viteve dhe është rrëzuar sa herë është paraqitur, se jemi një rasti të gjykuar dhe se nuk ka prova të reja.
Në 27 korrik 2021, gjyqtari i GJKKO, Erjon Çela rrëzoi kërkesën e SPAK për gjykimin e Fatmir Mediut. Argumenti kryesor i gjyqtarit ishte se Prokuroria e Përgjithshme, nga viti 2012, kur deputetëve u është hequr imuniteti nga ndjekja penale, nuk kërkoi vijimin e procedimit të Fatmir Mediun për dosjen e Gërdecit, por u kujtua pas 9 vitesh, kur edhe vepra penale për të cilën akuzohet Mediu (shpërdorim detyre) është parashkruar.
SPAK kërkoi rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Erjon Çela dhe hapjen e dosjes në Gjykatën e Posaçme të Apelit Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Më 24 shtator 2021, gjyqtarja Saida Dollani vendosi të rrëzonte vendimin e Gjykatë së Lartë të 14 shatorit 2009, e cila pushoi çështjen e Fatmir Mediut për shkak të rifitimit të pretenduar të imunitetit nga i pandehuri. Gjykata Speciale e Apelit ka rrëzuar edhe vendimin e gjyqtarit të shkallës së parë, Erjon Çela, i cili në 27 korrik të 2021 ndaloi SPAK që të merrte nën hetim Fatmir Mediun për Gërdecin.
Me këtë vendim, gjyqtarja i hapi rrugën SPAK që të rihapë dosjen e Gërdecit dhe të marrë të pandehur Fatmir Mediun. Vendimi i Apelit është kundërshtuar nga Fatmir Mediu, duke dorëzuar sot rekursin në Gjykatën e Lartë, përmes avokatit të tij Ardian Visha.
Pretendimi kryesor i Mediut tashmë është se një gjykatë më e ulët si KKKO-ja e Apelit nuk mund të rrëzojë një vendim të Gjykatës së Lartë, pra vendimin e 14 shtatorit 2009, për mbylljen e dosjes.
Megjithatë, vendimi i Apelit ka fuqi veprimi dhe rekursi i Mediut në Gjykatën e Lartë, nuk e pengon SPAK për të vijuar procedurat me dosjen e Gërdecit.
SPAK tashmë është para dy rrugëve;
-Dërgimin e dosjes në Gjykatën Speciale të Shkallës së Parë, duke kërkuar dënimin e Fatmir Mediut, me ato akte që u pushua çështja në 2009 nga Gjykata e Lartë;
-Thellimin e hetimeve për të identifikuar përgjegjës të tjerë, të cilët mund të qëndrojnë pas Fatmir Mediut, në rastin konkret të Sali dhe Shkëlzen Berishës, të cilët në bazë të një grupi provash që janë injoruar nga prokuroria në 2009, janë të përfshirë në prapaskenë.(Shqiptarja.com)