Fondi I Ballkanit Perëndimor, një organizatë ndërkombëtare e krijuar nga Ministritë e Jashtme të vendeve të rajonit, shpalli të hapur thirrjet për grante rajonale, që synojnë të nxisin bashkëpunimin në rajon.

Kjo është thirrja e katërt që prej themelimit të WBF në vitin 2017, por e para që gëzon një mbështetje të rëndësishme nga Bashkimi Europian, i cili bashkëfinancon grantet rajonale përmes skemës IPA – Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit.

Organizatat e Shoqërisë Civile janë përfitueset e kryesore të programit të përbashkët BE/WBF, por përfitues granti potencialë përfshihen edhe shoqatat, fondacionet, organizatat jo-fitimprurëse, rrjetet rajonale, entitetet lokale dhe rajonale, si dhe shoqatat e biznesit.

Thirrja do të mbetet e hapur deri në datën 23 Dhjetor 2021, për një total prej 45 ditësh. Ekipi i WBF do të udhëtojë gjatë kësaj periudhe për të takuar përfituesit potencialë në një seri Info Sesionesh, gjatë të cilave palët e interesuara do të informohen mbi mënyrën se si duhet të aplikojnë, si të formojnë partneritete me ortakë të ngjashëm në rajon, e shumë më tepër.

Në Shqipëri, Info Sesionet e parashikuara janë:

1. Korce. 15 Nëntor 2021. Ora 11.00. Në Amfiteatrin e Universitetit Fan Noli
2. Tirane. 23 Nëntor 2021. Ora 12.30. Në Hotel Rogner, salla Antigonea

Fondi i Ballkanit Perëndimor, një organizatë e themeluar nga Ministritë e Jashtme të ËB6 është një mekanizëm unik i bashkëpunimit rajonal dhe shenjë e frymës së re të bashkëpunimit që po ngrihet në rajon.

Në thirrjet e mëparshme për propozime në rajon (2017-20), WBF tërhoqi 890 aplikime nga Organizatat e Shoqërisë Civile dhe palëve të tjera, me në total 3.430 organizata dhe mbi 10 mijë qytetarë të përfshirë.

Falë mbështetjes së Bashkimit Europian, thirrja e katërt për propozime do të jetë më e madhja ndonjëherë në numrin e projekteve dhe vlerën financiare të mbështetur.