Qeveria e Francës do të shpallë masa të reja kufizuese kundër COVID-19 më 25 nëntor, pasi numrat e infeksioneve janë rritur ndjeshëm në të gjithë vendin.
Zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal tha se qeveria po planifikon të shmangë kufizime të mëdha në jetën publike, duke preferuar që të forcojnë rregullat për distancim social dhe shpejtim të fushatës për vaksinim me dozën e tretë kundër koronavirusit. Qeveria, sipas Attal, do të shtrëngojë po ashtu rregullat për pasportë të shëndetit.Pandemia në këtë vend është paraparë të përkeqësohet në ditët në vazhdim pasi numri i infeksioneve në 100 mijë persona brenda javës, parashihet të arrijë mbi 200 në një apo dy ditët e ardhshme.
“Duhet të mbrojmë francezët duke ndërtuar mbi atë që kemi, për të shpëtuar festimet e fundvitit dhe të kalojmë dimrin sa më mirë që është e mundshme”, tha Attal në një konferencë për media.
Pasaporta e shëndetit në Francë mundëson hyrjen në kafene, restaurant, muze, kinema dhe vende të tjera publike për persona që janë të vaksinuar ose kanë një test negativ për COVID-19.Sipas Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kjo pasaportë është një nga arsyet kryesore pse Franca gjendet në një pozitë më të mirë sa i përket pandemisë në krahasim me shtetet fqinje.
Atal nuk pranoi të komentojë mbi atë që Ministri i Shëndetësisë Olivier Veran mund të njoftojë nesër, por qeveria pritet të ndjekë rekomandimin e autoritetit shëndetësor HAS, i cili të premten tha se doza e tretë e vaksinës duhet të shtrihet në të gjithë personat mbi 40 vjeç.
“Ndërsa shohim një rritje të ndjeshme të presionit mbi sistemin shëndetësor në javët e ardhshme, ne besojmë se mund të shmangim fundosjen ndërsa vazhdojmë dhe intensifikojmë përpjekjet tona për vaksinimin, distancimin social dhe përdorimin e certifikatës shëndetësore”, shtoi Atal.
Deri më tani, doza e tretë e vaksinës është në dispozicion vetëm për personat më të vjetër se 65 vjet si dhe personat në rrezik.