Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i akordon Certifikatë për Shërbime të Dalluara Drejtorit të Drejtorisë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtues i Parë Edmond Rizaj, dhe dy oficerëve të kësaj drejtorie.
Njëkohësisht, DEA në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, vlerëson me Certifikatë për Shërbime të Dalluara, tre oficerë të Drejtorisë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua ceremonia për vlerësimin e 6 punonjësve të Drejtorisë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, tre prej të cilëve iu është akorduar Certifikatë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ndërsa 3 punonjësit e tjerë janë vlerësuar nga DEA.
Në ceremoni ishte i pranishëm Ministri i Brendshëm, z. Bledar Çuçi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale dhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit, si edhe punonjës nga Drejtoria Hetimore.
Gjatë ceremonisë, Ministri i Brendëshëm Çuçi dhe Drejtori i Përgjithshëm Nano vlerësuan përkushtimin dhe profesionalizmin e Drejtorit të Drejtorisë Hetimore Edmond Rizaj dhe të oficerëve të tjerë të kësaj drejtorie, në ndjekjen dhe finalizimin e disa operacioneve të suksesshme kundër krimit të organizuar.
Drejtori Edmond Rizaj ka falënderuar Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm, për vlerësimin, duke theksuar se i gjithë stafi i Drejtorisë Hetimore është i fokusuar dhe i angazhuar maksimalisht për të bashkëpunuar me të gjitha agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim kryerjen e hetimeve të përbashkëta për të goditur grupet kriminale brenda dhe jashtë vendit.
Me certifikatë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano janë vlerësuar:
Drejtues i Parë Edmond Rizaj – i është akorduar “Certifikata për Shërbime të Dalluara” me motivacionin “Për përkushtimin dhe profesionalizimin e treguar në drejtimin e finalizimit me sukses të disa operacioneve policore të realizuara nga Drejtoria Hetimore në funksion të dokumentimit të aktivitetit kriminal të personave apo grupeve të strukturuara kriminale”.
Kryekomisar Saimir Durro – i është akorduar “Certifikata për Shërbime të Dalluara” me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave në shërbim të Policisë së Shtetit”. Komisare Mirela Deda – i është akorduar “Certifikata e Karrierës” me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës, në shërbim të Policisë së Shtetit”.
Me Certifikatë për Shërbime të Dalluara, nga DEA në Departamentin e Drejtësisë të
Shteteve të Bashkuara, janë vlerësuar:
Kryekomisar Gjergj Oshafi
Kryekomisar Rezar Velmishi
Kryekomisar Loreta Alla
Me motivacionin “Për dedikim ndaj detyrës dhe shërbime të shquara.”