Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike Rebani Jaupi, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore Skënder Brataj, vizitoi në Spitalin Ushtarak në Tiranë, punonjësin e Policisë Rrugore të Dibërës, inspektor Selami Lusha, i cili gjatë kohës së kryerjes së shërbimit me automjetin e Policisë Rrugore u përfshi në një aksident rrugor me një automjet tjetër, në aksin rrugor Bulqizë-Shupenzë dhe për pasojë u dëmtua rëndë.
Drejtor Nano i ka uruar shërim të shpejtë punonjësit të Policisë Selami Lusha. Gjatë bisedës me familjarët e punonjësit të Policisë, Drejtor Nano u ka ofruar atyre mbështetjen për çdo nevojë dhe nëpërmjet mjekut Brataj, është interesuar për t’i ofruar punonjësit të Policisë, por edhe të dëmtuarit tjetër në aksident, shtetasit Z. M., të gjithë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Njëkohësisht, Gledis Nano ka vizituar edhe drejtuesin e automjetit tjetër të përfshirë në aksident, shtetasin Z. M., të cilit i ka uruar shërim të shpejtë.
Gjatë bisedës me familjarët, Drejtori i Përgjithshëm ka theksuar se e rëndësishme është që kanë shpëtuar jetën.
Gjithashtu ka theksuar që të jenë të qetë përsa i përket veprimeve që po kryen grupi hetimor, pasi nuk do të ketë anshmëri në kryerjen e ekspertizës, për të përcaktuar fajësinë e ndodhjes së aksidentit.