Kryeministri Rama ishte sot në një takim me fermerët për të prezantuar buxhetin dhe mbështetjen për fermerët e vendit. Ai ka reaguar edhe për protestën e zhvilluar nga disa fermerë në qytetin e Lushnjes pas heqjes së rimbursimit me 6%.

Kryeministri u shpreh se: Me skemën e rimbursimit me 6%, në fakt ne kemi hedhur një hap para dhe jo një hap pas, pasi me këtë skemë ne kemi synuar që përmes shfrytëzimit të kapacitetit të grumbulluesve të çojmë paratë tek fermeri, por në fund fare doli se kjo shifër është kontrolluar nga një numër grumbulluesish dhe që jo domosdoshmërisht ka përfunduar tek fermeri.

Në këto vite sistemi i grumbulluesve ka përfituar masivisht nga mbështetja e qeverisë, dhe grumbulluesit do të na mirëkuptojnë, pasi nuk jemi kundër tyre, përkundrazi i kemi mbrojtur, por ajo shumë prej 9 milionë dollarësh të shkojë drejtpërdrejtë në buxhetin e bujqësisë dhe jo të shfrytëzohet në një system jotransparent, vijoi ai.

Rama tha se buxheti i vitit 2022 për bujqësinë është më i madhi deri tani për fermerët dhe agrobiznesin. Ndërkohë deri tani 45 mijë fermerë kanë përfituar 10 miliardë lekë në mbështetje të drejtpërdrejtë. Buxheti për vitin 2022 i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural arrin vlerën prej 12.7 miliardë lekësh. Ky buxhet mundëson mbështetje për rritjen e eksporteve, forcimin e sigurisë ushqimore, fuqizimin e turizmit rural, dixhitalizimin në bujqësi, mbështetje për blegtorinë, zhvillimin rural dhe peshkimin.

Kryeministri theksoi se: E kemi rritur kapacitetin për të financuar bujqësinë sepse kemi rritur kapacitetin për të përfituar nga fondet e BE. Ishim vendi i fundit në rajon për kapacitetin thithës të fondeve nga BE, që i shkojnë sektorit, kurse sot jemi vendi i parë në rajon. Pas revolucionit digjital, kushdo që aplikon sot për biznes e bën këtë pa kosto dhe me zero dokumenta, përmes portalit E-Albania, gjithashtu deklarimi i të ardhurave tatimore, tashmë kryhet nga çdo biznes në mënyrë 100% elektronike, theksoi ai.

Përmes Programit IPARD II janë lidhur 364 kontrata me vlerë 66.6 milionë euro ose sa 70% e fondit në dispozicion me vlerë 149 milionë euro.
Nga kontratat e lidhura ka përfunduar investimi e janë paguar 194 investime, ndërsa të tjerat janë në proces. Në infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja, gjatë 2013-2020 u investuan 19.5 miliardë lekë, që dyfishoi sipërfaqen e ujitshme nga 120 mijë hektarë në 2013 në 255 mijë hektarë në 2020. Po ashtu, u rehabilituan 39 diga, 80 km argjinatura mbrojtëse, 24 km kanale dhe u përmirësua kulllimi në 230 mijë hektarë nga 280 mijë të sipërfaqes totale të kullimit.

Për vitin 2021 janë disburusuar rreth 2 miliardë lekë, që e çon totalin e investimeve në infrastrukturën e ujitjes në 21.5 miliardë lekë, shifër që pritet të rritet edhe më shumë. Fondet e akorduara për Programin IPARD III rriten, nga 94.3 milionë euro, në 146.4 milionë euro ose 55% më shumë, ndërsa thirrjet e para hapen më 6 shkurt 2022. Është komplet e gabuar që studimi në universitetin bujqësor është një humbje kohe, është krejt e kundëra, na nevojiten specialist për këtë sektor, u shpreh Rama.