E rrëmbyer nga mafia shqiptare dhe e detyruar të prostituonte në Itali, shqiptarja Adelina Sejdini ishte kthyer në pikë referimi në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, pasi shkatërroi banden me 40 trafikantë. 46-vjeçarja shqiptare, e cila bashkëpunoi me autoritetet italiane për të shkatërruar një grup mafioz që shfrytëzonte vajzat për prostitucion, u vetëvrarë pak ditë më parë duke u hedhur nga një urë. Në lidhje me këtë ngjarje tragjike, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Spiropali ka dhënë një mesazh të fuqishëm në kujtim të grave dhe vajzave që luftojnë kundër skllavërisë moderne të shfrytëzimit seksual.
Statusi i ministres Spiropali
“Në kujtim të vajzave dhe grave të trafikuara! Për Adelina Sejdinin, sakrificën dhe guximin e saj! Për të gjithë ato dhe ata që luftojnë kundër skllavërisë moderne të shfrytëzimit seksual!”-
Bashkangjitur mesazhit të saj, ministrja ka publikuar një intervistë të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, teksa flet për fenomenin e prostitucionit, një dramë e madhe për shoqërinë shqiptare.