19 anëtarë të Këshillit Bashkiak të Klosit votuan sot kundër ndërtimit të gurores nga firma “Gjoka Konstruksion” në fshatin Shkallë të Dibrës. Në takimin e Këshillit Bashkiak ishin të pranishëm edhe 20 banorë të fshatit Shkallë.
Rendi i ditës i këshillit u çel me çështjen e gurores, ku u diskutua nëse duhej të hiqet nga fondi pyjor një sipërfaqe prej 4.5 dynymësh, si hallkë e fundit e cila do t’i mundësonte firmës private nisjen e punimeve vetëm pak metra larg banesave.
“Diskutuan këshilltarët, bashkë me kryetarin e këshillit, në frymën e argumenteve pse nuk duhet ndërtuar gurorja. U hodh në votim sipas procedurës, doli 19 me zero kundër gurores”, – tha për Citizens Channel Kasem Muça, anëtar këshilli në Bashkinë e Klosit.
Arsyet pse u votua kundër heqjen së sipërfaqes pyjore, pohon Muça, lidhen me dëmet që do të shkaktonte në mjedis dhe te cilësia e jetës së banorëve.
“Argumentet ishin këto: një; ndërtimi nga ai pozicion ku kërkon firma, shkatërron bimësinë, florën, faunën, bletarinë, bagëtinë, ujërat”, – shpjegon më tej Kasem Muça, i cili pohon së gurorja do të ndikonte në të gjithë qytetin e Klosit dhe fshatrat e luginës.
Jashtë godinës së bashkisë prisnin me dhjetëra banorë të cilët u shprehën të çliruar pas vendimit të marrë ditën e sotme.
“Lajmin e pritëm shumë mirë”, – shprehet për Citizens Channel Sehit Kurti. Ai pohon se prej një viti, banorët kanë qenë nën frikë konstante se do të miratohej leja për ndërtimin e kësaj guroreje.
Çfarë ka ndodhur në fshatin Shkallë?
Një javë më parë, 84 banorë morën pjesë në dëgjesën publike të ndërmarrë nga Këshilli Bashkiak Klos, ku kundërshtuan ndërtimin e kësaj guroreje.
Ministria e Mjedisit i ka dhënë leje firmës “Gjoka konstruksion”, ndaj hallka e fundit ishte Bashkia e Klosit, që sot mori vendimin për të mos e hequr sipërfaqen nga fondi pyjor, që do t’i mundësonte firmës marrjes e gurit gëlqeror.
Më herët, në dhjetor të vitit 2020, firma private nënshkroi një marrëveshje joformale mes banorëve të fshatit Shkallë, ku u premtoi atyre se do të kryente disa shërbime infrastrukturore në zonë edhe punësim të banorëve të atij fshati, në këmbim të marrjes se inerteve në sipërfaqe të shkëmbit.
Banorët u shprehën për Citizens Channel se një ndër kushtet bazë të lidhjes së marrëveshjes morale me përfaqësues të “Gjoka Konstruksion” ishte që të mos ndërtohej gurore, por në terren u shfaqën sondat e shpimit.
Citizens Channel iu drejtua Bashkisë Klos me një kërkesë për informacion dhe kjo e fundit pohoi se kompania “Gjoka Konstruksion” me datë 08.07.2020 kishte kërkuar të marrë leje për shfrytëzimin e mineraleve ndërtimore, por kërkesa nuk ishte miratuar pasi kishte mungesë dokumentacioni.