Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, tha në Ditarin e mëngjesit në A2 CNN se kryeministri Edi Rama nuk e ka problem të dëshmojë në komisionin hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, të ngritur me kërkesë të opozitës. “Nuk ka nevojë të dalësh në media e të thuash se do të thërrasësh me forcë kryeministrin, sepse Edi Rama e ka treguar se nuk e ka problem të shkojë”, tha Gjylameti.
Ajo shtoi se synimi kryesor i PS në këtë komision është që të hetohen pretendimet e opozitës, dhe të dalë e vërteta. Por ajo hedh dyshime mbi synimet e opozitës në këtë komision. “Duket se më shumë duan të justifikojnë atë që ka ndodhur, sesa të vërtetën. Shpresoj të kthehemi në normalitet dhe në fund, opinioni të marrë përgjigjen që pret, të vërtetën për zgjedhjet e 25 prillit. Në fund të ditës, populli foli qartë. Fitues i zgjedhjeve është PS. Na duhet që problemet që ngre edhe raporti i OSBE/ODIHR të adresohen në kodin zgjedhor. Ne duhet të jemi gardianët e Kushtetutës, jo ta shkelim atë. Çdo gjë që kërkohet në respekt të ligjit, do të votohet”, tha Gjylameti.
Deputetja socialiste, njëherësh edhe relatore për projektligjin e buxhetit të vitit 2022, e quajti atë “një nga buxhetet më ambiciozë të shtetit shqiptar”. “Sepse jo vetëm tenton të rikthejë edhe një herë sipas rregullit të artë fiskal, si duhet të funksionojë buxheti i shtetit, duke tentuar të ulë borxhin publik pas dy vitesh të vështira, dhe të rregullojë financat e vendit duke parë nga e ardhmja. Të ardhurat synohet të rriten nga sektorët kyç, si bujqësia, turizmi, apo investimet në sektorin e digjitalizimit”, tha ajo.