Policisë Rrugore gjatë ushtrimit të masave në fundjavë me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, ka ndëshkuar 2234 drejtues mjetesh.
Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet intensive, duke përdorur makinën inteligjente, radarë, dronë, mjete të pauniformuara, kamera, aparate fotografike dhe alkooltestues, për parandalimin e aksidenteve rrugore.
Makina inteligjente vijon të monitorojë qarkullimin rrugor, jo vetëm në Tiranë, por tashmë edhe në qarqet e tjera, duke evidentuar dhe ndëshkuar shumë drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, të cilët krahas shpejtësisë, qarkullojnë edhe pa vendosur rripin e sigurimit apo duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit.
“Gjatë 48 orëve të fundit janë evidentuar në shkelje, nga makina inteligjente, 781 drejtues mjetesh, të cilëve do t’u shkojë masa administrative në banesë. Gjithashtu, në të gjithë vendin, gjatë kontrolleve permanente janë evidentuar dhe ndëshkuar 2234 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Janë pezulluar 105 leje drejtimi, nga të cilat 61 për shpejtësi mbi normat e lejuara, shumica e rasteve të konstatuara nga makina inteligjente, 39 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 5 për qarkullim në sens të kundërt. Janë arrestuar 16 shtetas, nga të cilët 10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Nisur nga fakti se në fundjavë, akset rrugore në drejtim të zonave turistike dhe bregdetare kanë fluks të shtuar, Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë për të monitoruar qarkullimin e automjeteve”, thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.