Policia e Tiranës, në vijim të kontrolleve parandaluese, përgjatë 48 orëve të fundit, arrestoi në flagrancë 4 drejtues automjetesh në gjendje të dehur dhe të pa pajisur me leje drejtimi, si dhe pezulloi 12 leje drejtimi për shpejtësi mbi normat. Përgjatë 48 orëve të fundit, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, kanë angazhuar shërbime të shtuara në funksion të rregullimit të trafikut kryesisht në zonat ku po kryhen punime per zhvillimin e projektit të Unazës së Madhe, pranë shkollave publike dhe jo publike, si dhe zona të tjera të kryeqytetit ku evidentohet ngarkesë e shtuar trafiku.

Krahas masave për rregullimin e trafikut, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, në bashkëpunim edhe me patrullat e tjera policore, janë përqendruar në rrugët urbane kryesore dhe të tjera, me fokus parkimet në rresht të dytë, në korsitë e lëvizjes si dhe pozicionimet e gabuara në korsitë e lëvizjes, shkelje të cilat janë shkak për trafik të rënduar dhe sjellje agresive nga përdoruesit e rrugës. Duke konsideruar vështirësitë e qarkullimit në oraret e pikut në kryeqytet, kontrollet e rrugorëve të kryeqytetit ndaj shkeljeve që janë pengesë për qarkullimin do jenë në vazhdimësi dhe me sanksione administrative maksimale. Në funksion të kontrolleve parandaluese, përgjatë 48 orëve të fundit janë proceduar administrativisht 12 drejtues automjetesh për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Po ashtu, u ndëshkuan me masë administrative 12 drejtues mjetesh për gara shpejtësie dhe mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara. Policia ndëshkoi me masë administrative 14 drejtues mjetesh për xhama të errësuar, jo në përputhje me kriteret e miratuara në udhëzimin përkatës. Në 48 orët e fundit u pezulluan 12 leje drejtimi për shpejtësi mbi normat e lejuara, si dhe u ndëshkuan me masë administrative 56 drejtues motomjetesh për mos përdorim të kaskës mbrojtëse. Po ashtu, Policia ndëshkoi me masë administrative 112 drejtues mjetesh për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjeteve, si dhe 436 automjete për ndalim qëndrimi dhe parkime të tjera në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.