Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, bashkë me Ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, zhvilluan ditën e sotme një vizitë në fabrikën e vajit të ullirit “Musai Olive Oil”, në Skrofotinë të Vlorës, e cila me mbështetjen konkrete të qeverisë shqiptare, sot prodhon deri në 280 ton vaj në vit, ofron punë dhe bashkëpunim me mbi 800 fermerë, si dhe eksporton në tregjet më të zhvilluara të botës.

“Vetëm këtë vit, deri tani, kjo sipërmarrje ka eksportuar 2000 litra vaj ulliri drejt amerikës.”, tha Krifca në fjalën e saj.

Kjo industri është mbështetur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në makineri për linja prodhimi, përpunimi, linja standardizimi dhe linja ambalazhimi, duke qëndruar pranë fermerit edhe me Qendrat e Transferimit të Teknologjisë Bujqësore, të cilat janë mekanizmi që këshillon dhe udhëzon fermerët për kultivarët e duhur.

“Aktualisht, Shqipëria është një ndër udhëheqësit e prodhimit dhe kultivimit të ullirit në rajon me mbi 10 milionë rrënjë të regjistruara në vitin 2020 dhe prodhon mesatarisht 132 mijë ton ullinj.”, tha Krifca.

Gjithashtu, ministrja tha se me buxhetin e vitit 2022 do të arrihet të ulen edhe më shumë kostot e fermerëve të ullirit për vitin e ardhshëm, falë skemës së mbështetjes me naftë, e cila do të përfshijë për herë të parë edhe ullirin.
 
“Objektivat tona janë pikërisht eksperienca të tilla, të cilat fuqizojnë prodhimin tonë kombëtar, punësojnë shqiptarët, si dhe i përgjigjen kërkesës për cilësi të lartë në tregje ndërkombëtare, për rritje të eksporteve.”, vijoi Krifca.

Ministrja tha se eksportet shqiptare drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë rritur me 30% këtë vit, krahasuar me vitin 2020, por potenciali është shumë herë më i madh.

“Jam besimplotë, se me ndihmën e Ambasadores Kim dhe falë bashkëpunimit akoma edhe më të ngushtë mes kompanive amerikane dhe atyre shqiptare, do të rrisim dhe më shumë shkëmbimet tona tregtare.”, përfundoi Krifca.