Komisioni Europian i ka disbursuar Shqipërisë 90 mln euro të paketës 180 mln euro të Asistencës Makro-Financiare për rimëkëmbjen pas pandemisë. Lajmin e ka bërë të ditur Ministri Ahmetaj, me anë të një postimi në Facebook ku falenderon KE. ‘ Programi është një tjetër shprehje e solidaritetit të Bashkimit Europian ndaj vendeve partnere dhe kandidate, nga i cili përfitojnë 10 shtete mes të cilëve Shqipëria.’- shkruan Ahmetaj.
Postimi i plotë:
Mirënjohës Komisionit Europian për disbursimin e transhit të dytë dhe të fundit prej 90 mln euro të paketës 180 mln euro të Asistencës Makro-Financiare për Shqipërinë, që synon të nxisë rimëkëmbjen ekonomike dhe frenimin e impakti negativ në ekonomi të shkaktuar nga pandemia e Covid-19.
Në mars 2021 Shqipëria përfitoi pagesën e parë prej 90 mln euro, ndërsa KE vlerëson se vendi ynë i ka përmbushur të gjithë kriteret e dakordësuara me BE për disbursimin e shumës së plotë të angazhuar, përfshirë masat për konsolidimin e financave publike, garantimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar, përmirësimin e qeverisjes, lufta kundër korrupsionit dhe rritja e mbështetjes sociale. Programi është një tjetër shprehje e solidaritetit të Bashkimit Europian ndaj vendeve partnere dhe kandidate, nga i cili përfitojnë 10 shtete mes të cilëve Shqipëria. Ne po vijojmë intensivisht punën me KE për implementimin në kohë të programeve dhe politikave të dakordësuara në kuadër të kësaj pakete.