Nga Kimete Berisha
E dinë që nuk bëhet, prandaj thonë se janë për bashkim kombëtar.

Më në fund, kjo dashuri u bë qesharake!

Edi Rama dhe Albin Kurti për herë të parë ia dolën ta bëjnë qesharake idenë ‘e ‘bashkimit kombëtar’.

Nuk ka taktikë më të zgjuar sesa kur një ‘dashuri të premtuar’ (bashkimin kombëtar), e relativizon me humor dhe e zhvendos te ‘dashuritë e ndaluara’!

Më mirë të mos zbulohet e vërteta dhe të vazhdojmë të sillemi sikur vuajmë shumë nga ‘dashuria e ndaluar’.

Se nëse tregon drejt se kush është ai që i ndalon shqiptarët të bashkohen, turpërohesh kur e merr vesh bota pastaj se as serbët nuk janë kundër bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovën, më shumë se shqiptarët.

Edi Rama dhe Albin Kurti folën sot për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën thuajse janë joshqiptarë (Albin Kurti si serb lokal i Zveçanit, i hipur në kulm të Trojkës, e Edi Rama si orakull grek).

E ne tash, duhet të çuditemi me ‘ta, të bëjmë lum dhe të gëzohemi që ‘dy shqiptarë’ kryeministra do të pranonin të bashkoheshin Shqipëria dhe Kosova, nëse do të ndodhte një referendum paqësor.

Dhe nuk tregojnë pse nuk e organizojnë atë referndum mbasi që që kaq shumë e duan!

Edi Rama dhe Albin Kurti dëshmuan trimëri të madhe, duke guxuar ta dëshirojnë bashkimin kombëtar.

Bashkimi kombëtar nuk është dëshirë e tyre, por dëshirë e juaja. Ata po

tregtojnë me dëshirën tuaj, sepse e dinë mirë se as ju (sikurse ata) nuk e keni seriozisht.

Ata guxojnë të shprehin dëshirën tuaj sepse e dinë se askush nuk ua plotëson juve dëshirën, sepse nuk e keni dëshirën aq të zjarrtë sa të digjeni nga dashnia, aman.

Thjesht, u tallen aq shumë me këtë ‘dashuri’, derisa e bën të duket e tejkaluar dhe qesharake.

As Edi Rama, as Abin Kurti, as shqiptarët këtu, e as shqiptarët atje, nuk e kanë seriozisht.

Të gjithë ne jemi dembelë në dashuri. Përtojmë të dashurojmë dhe të punojmë!

Albin Kurti e quan lidhjen shpirtërore të Kosovës-me Shqipërinë si lis me dy rrema.

Ku e ka parë ai atë lis me dy rrema!

Po ku i gjen ky gjithmonë do shembuj pastoral: me petlla, me shi, me bereqet, me të mbjella, me vaditje të dashurisë…

Ndërsa Edi Rama e gjeti një simbolikë edhe më të fortë se lisi.

Tha se Shqipëria dhe Kosova janë një trup me dy krena, si shqiponja.

Shqiponja me dy krena nuk ekziston askund, përveç në vizatime.

Kështu, jashtë vizatimeve, dy krena mund t’i ketë gjarpri, breshka, por edhe derri.

Ti vizatoja edhe një kokë shqiponjës, pse jo, bëje tre-krerëshe, bëje edhe më interesant situatën.

Edi Rama e luan shumë bukur lojën e Albin Kurtit, sepse Edi Rama e di se në Shqipëri askush nuk e ka gajlen e bashkimit me Kosovën.

Në anën tjetër, Albin Kurti është shumë i lumtur që e ka një armik si Edi Rama, që sinqerisht e urren bashkimin kombëtar, sepse edhe ia heq gajlen e bashkimit, edhe nesër ka kujt ia lë fajin.

Raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës kurrë nuk kanë qenë më të këqija!

Secili katundin e vet.

P.S. Kosova dhe Shqipëria mund të bashkohen vetëm nëse nuk pyeten shqiptarët.