Kryeministri mori pjesë në aksionin e pastrimit të plazheve të Vlorës, nga ku deklaroi se qeveria do të vendosë një fond ekstra për bregdetin dhe do të ngrejë një task-forcë për Bregdetin që të ndihmojë bashkitë për buxhetin e ardhshëm.

Aktiviteti që nisi sot për pastrimin e qarkut të Vlorës, pason programin e zhvilluar gjatë verës në të gjithë bredgetin shqiptar, nga Ksamili deri në Velipojë për shembjen e ndërtimeve pa leje. Pas një sezoni veror me aksione pastrimi nga Fieri në Durrës e Golem, në Ishëm, Gjirin e Lalzit, Lezhë dhe në plazhin e Hidrovorit e deri në ishullin e Sazanit, tashmë zë fill një tjetër aksion pastrimi, për të larguar mbetjet nga e gjithë zona bregdetare e turistike e jugut.

Ky aksion gjithashtu pason një mbledhje të mbajtur nga Kryeministri Edi Rama muajin e kaluar me ministren e turizmit dhe me Kryetarët e Bashkive dhe prefektët e qarqeve. Kryeministri Rama mori pjesë sot në aksionin që u zhvillua në plazhin e Zvërnecit, ku u hap aksioni për pastrimin e qarkut të Vlorës. Ai tha në fjalimin e tij se ky aksion ngrihet mbi eksperiencën e disa viteve dhe mbi faktin se “Shqipëria e pastër është prioriteti i prioriteteve në mandatin e tretë”.

Kryeministri falenderoi të gjithë pjesëmarrësit, duke i kujtuar të gjithë qytetarëve që të gjithë janë përgjegjës për ndotjen e mjedisit, ndërkohë që vendi ynë ka bukuri natyrore për tu pasur zili.

“Në komente nëpër rrjete sociale të gjithë qytetarët janë ambientalistë, por kur mendoj sa pak nga ata që komentojnë janë ambientalistë jo vetëm me fjalë, por edhe në sjellje, atëherë them që secili duhet të kthehet nga vetja. Të jesh patriot nuk do të thotë të jesh gati të zbrasësh pushkën në Facebook, apo të luftosh për atdheun duke komentuar nga kafeneja apo shtëpia. Të jesh patriot do të thotë të mbash pastër atdheun tënd,” tha Kryeministri në fjalën e tij.

Rama tha se situata ka qënë shumë më keq më parë, por ende është më keq se sa duhet të jetë. Ai tha se kjo ndotje dëmton ekonominë, duke dëmtuar turizmin, por për efekt zinxhir edhe ekonominë, duke përfunduar të dëmtojë edhe shëndetin. Kryeministri vijoi fjalën e tij duke shtuar se pas pastrimit të zonave të nxehta, do të vijojë monitorimi për të mirëmbajtur territoret dhe për të mos u përsëritur situata e ndotjes, duke shtuar se aktivitete të tilla nuk bëhen për herë të parë në vend.

Rama theksoi se pritshmëritë në lidhje me zbatimin e këtij programi për mjedisin bien mbi secilin institucion dhe secilin qytetar, duke përsëritur atë që u tha bashkive në mbledhje, se burimet financiare për pastrimin janë prioritet dhe duhet të përkthehen në një rezultat konkret, në një territor qëndrueshmërisht të pastër.

“Të gjithë kanë përgjegjësi, por është koha që përgjegjësitë të kërkohen nga gjithsecili. Ne e kemi bërë të qartë dhe jemi në rrugën e zbatimit të asaj që kemi thënë dhe që e kam bërë të qartë ditën e prezantimit të programit të qeverisë se re në Kuvend. Asnjë bashki s’do i lejohet të bëjë gjë tjetër nëse nuk garanton të gjitha burimet financiare të nevojshme për pastrimin, nëse nuk garanton që ato burime përkthehen në rezultat konkret, territor të pastër dhe qëndrueshmërisht të pastër. Për herë të parë ministria e Mjedisit ka kostuar se sa i kushton çdo bashkie pastrimi. Në bazën e kostimit ka nxjerrë edhe objektivin për buxhetin e vitit tjetër të çdo bashkie.

Ministrja personalisht bashkë me të deleguarit do të jenë të pranishëm në mbledhjet e Këshillave bashkiakë. Çdo bashki sot ka në dispozicion një pikë fundore për mbetjet dhe është e patolerueshme që ato të grumbullohen në mes të rrugës. Pikat fundore janë qoftë pikat teknologjike të trajtimit të mbetjeve, apo landfillet. Asnjë bashki s’do të lejohet për arsye apo justifikim që në vend që t’i çoj mbështetjet e veta në pikat fundore, të krijojë pika të paligjshme. Ligji parashikon sanksione për kryetarët e bashkive dhe bashkitë. Është e patolerueshme që kryetarët e bashkive bregdetare ta konsiderojnë këtë si punë angari. Do të vendosim një fond ekstra për bregdetin dhe do të krijojmë një task-forcë për Bregdetin që do iu vijë në ndihmë bashkive për buxhetin e ardhshëm. Çdo këshill bashkiak do ta rrëzojë buxhetin e kryetarëve të bashkive, nëse taksa s’do të shkojë për pastrimin e zonës”. Edhe për bizneset, Kryeministri Rama shpjegoi se kanë përgjegjësi për pastrimin e mbetjeve në territorin ku veprojnë, më pas prezantoi fondin që shpërblen bashkitë që kryejnë punën më të mirë për pastrimin, si një tjetër incentive për mirëmbajtjen e mjedisit, duke shtuar se edhe policia e shtetit ka përgjegjësinë për mbrojtjen e mjedisit.

“Nuk do tolerohet asnjë biznes në bregdet që nuk do nxjerrë mbetjet e veta të paketuara përpara zonës ku bën aktivitetin në një orë të caktuar. Bashkitë duhet të organizohen që brenda 1 orë ne fund të ditës të grumbullojë të gjitha mbetjet, nuk do lejohen thasë të zinj mbetjesh të hedhur të kazani. Këto nuk janë për bizneset por për konsumin individual. Për këtë paralelisht me incentivat. Kemi dhe fondin e inkurajimit, për bashkitë që bëjnë punën me sukses, duke ua rikthyer atë që shpenzojnë për pastrimin” tha Kryeministri.