Kryeministri Rama ishte sot në Durrës me kryetarët e Bashkive dhe prefektët e qarqeve për të diskutuar mbi pastrimin e territorit në zona bregdetare, një nismë që u çel para dy javësh në Vlorë.
Kryeministri e konsideroi situatën një udhëkryq, duke shtuar se barra e peshës së përgjegjësisë nuk i mbetet vetëm bashkive, por edhe qytetarëve, duke fajësuar edhe indeiferencën e institucioneve. Ai shtoi se pastrimi ka kosto më të lartë se tarifat e pastrimit që i faturohen qytetarëve dhe bizneseve.
“Që të jemi shumë të qartë kontributet përmes tarifave të pastrimit të familjarëve dhe bizneseve janë nën kostot e pastrimit për Bashkitë. Kjo bën që Bashkitë të përballojnë me fonde ekstra një pjesë të kostos, nga ana tjetër kemi territore të tjera të papastruara dhe qeveria detyrohet të rishikojë skemën e funksionimit të këtij procesi. Në këtë proces gjobat janë të domosdoshme. Na duhet një qasje shumë më e organizuar dhe agresive në këtë proces”, tha Rama, duke kujtuar zotimin të mos kalojë buxhetet e bashkive nëse nuk përmbajnë fonde për pastrimin.
Ai premtoi mbështetje për bashkitë, sidomos ato bregdetare që kanë ngarkesë dhe rritje të popullsisë gjatë sezonit veror. Sa i përket modelit të pastrimit, Kryeministri tha se vitin e ardhshëm do të fillojnë punën për pastrimin në katër zonat më kritike, duke vijuar më pas me zonat bregdetare.
“Vitin e ardhshëm do të fillojmë me katër zonat më kritike për të vijuar me zonat bregdetare. Kemi një model që e bën më shqetësuese situatën që tregon se përtej të gjitha shtrëngimeve financiare, lidershipi i Bashkisë dhe organizimi luan një rol që mund të arrijë deri në pikën që mund t’i kapërcejë këto probleme. Në Bashkinë e Lezhës kemi një pasqyrë krejt ndryshe nga pjesa tjetër dhe as nuk ka ndonjë taksë marramendëse për pastrimin apo mbështetje speciale nga qeveria. Por ka një skemë organizimi përmes së cilës arrin të garantojë, ndoshta jo 100 % të shkëlqyer, por është një kuotë të lartë pozitive” tha Rama duke përdorur shembullin e Lezhës si model frymëzues për bashkitë e tjera.
“Sezonin e ardhshëm është shumë e rëndësishme të adresojmë edhe problemin e administrimit të plazhit në vetvete, në raport me persona që duan të askesojnë plazhe private apo publike, por edhe problemin e pastrimit të plazheve. Duhet rritur cilësia e mirëmbajtjes edhe për zonat që administrohen si plazhe private”.
Më pas, Kryeministri shtroi rëndësinë që ka puna e policisë në këtë aspekt: “Është e domosdoshme që sëbashku të adresojmë edhe aspektin e ndëshkimit, gjobave. Por në fund të ditës i gjithë ky zinxhir nuk funksionon nëse Policia e Shtetit nuk e përfshin krimin mjedisor si pjesë e punës të përditshme dhe vazhdon të ketë dobësi, sepse deri para disa vitesh ishte krejt e shkëputur Policia e Shtetit nga lufta kundër krimit mjedisor.”
Sërish Kryeministri Rama theksoi se është e patolerueshme të bashkëpunohet me ata që kryejnë krime mjedisore, duke përsëritur që nuk duhet të jetë e lejueshme të vazhdojë të qëndrojë e papastër Shqipëria dhe se të gjithë qytetarët duhet të jenë të përgjegjshëm për sjelljet e tyre ndaj mjedisit.
Sipas Kryeministrit, ndotja ndikon tej mase më ekonominë e vendit, duke theksuar se Shqipëria nuk është i ndotur nga industritë, nuk vuan nga helmet apo kimikatet, por vetëm nga papërgjegjshmëria e njerëzve, duke bërë thirrje sërish për rritjen e vetëdijes qytetare.
Rama tha se edhe Komisariati Digjital ofron mundësinë e denoncimit të personave që hedhin mbeturina në vende publike apo i djegin plehrat, etj. Kryeministri tha se duhen zbatuar gjoba të lartë, që të mos rriten tarifat e pastrimit. Sipas tij, gjobat duhet të jenë goditje që të mbahen mend gjatë.
Kryeministri theksoi se nuk është vetëm përgjegjësia e IKMT apo e inspektorit për mbrojtjen e territorit nga ndërtimet pa leje, apo dhe bashkia, megjithëse janë të kufizuar në numrin e policëve bashkiakë, pasi shkeljen bazë e ka Policia e Shtetit në përgjegjësi. Rama shtoi se satelitët dhe dronët do të ndihmojnë në zbulimin e tyre, gjatë sezonit të ardhshëm.
Duke u ndalur tek qytetet bregdetare, Kryeministri Rama tha se ndarja e plazheve duhet bërë me kritere strikte për të mos pasur një tjetër rast si ngjarja e rëndë e ndodhur gjatë verës, në Velipojë.
Në fund, Kryeministri shtoi që duhen përfshirë edhe shkollat, për të bërë riciklimin e mbetjeve, ku të realizohet edhe edukimi mbi këtë çështje, ndërsa sa i përket fabrikave Rama tha se me ata do të ketë zero tolerance për ndotjen që prodhojnë. Me Task Forcën që ngrihet, Rama tha se do të garantohet zgjidhja e çdo problemi që do të ngrihet në kohë reale.