Pas dorëzimeve të suksesshme të shtëpive në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, si Manëz, Zall Herr apo Shijak, 19 familje të tjera morën çelësat e banesave në lagjen e Vaqarrit.
I pranishëm në këtë dorëzim ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij u ndal te standardi i shtuar i jetesës që lagjet e reja ofrojnë. Kryeministri falenderoi drejtorin e “Fundjavë ndryshe” Arbër Hajdarin për bashkëpunimin, për gatishmërinë për të bashkuar forcat që të zbatohej një plan jo vetëm me ndërtimin e shtëpive, por edhe të realizohej ideja e lagjeve të reja, me shkollën 9-vjecare e të mesme pranë, me qendrën shëndetësore pranë dhe me shërbimet administrative pranë.
Rama theksoi se të gjitha ata që kanë pësuar dëme në shtëpi, që nga dëmet më të lehta, deri tek ndërtesat e shkatërruara, përpjekja e puna që është bërë ka sjellë për ta një situatë shumë më të mirë nga ajo që kishin përpara.
“Jeta po u ndryshon cilësisht. Janë 33 mijë familje në të gjithë hapësirën ku goditi tërmeti i 26 nëntorit, që ose e kanë humbur plotësisht shtëpinë, ose e kanë parë atë të dëmtohet në nivele të ndryshme dëmi. Tanimë kanë hyrë nëpër shtëpi, janë mijëra e mijëra që banojnë tashmë në banesa të rindërtuara individuale, janë 500 familje vetëm në Bashkinë e Tiranës dhe janë mijëra e mijëra që banojnë në apartamente plotësisht të rikonstruktuara.
Ndërkohë jemi në fazën që fillojmë me blloqet. Së shpejti hyjnë në shtëpi jo vetëm ata që janë në pritje në Ndroq, Zall-Herr apo në lagjen “5 Maji” në Tiranë, do të jenë familjet e para që do të hyjnë në shtëpi. “5 Maji” në fund do të jetë lagje shembullore nga ana urbanistike, pasi aty gjithçka po ndërtohet nga e para. Po ashtu me Kombinatin, e në ditët e ardhshme do të hyjnë në shtëpi banorët e Bubqit, ku po ndërtohet një hapësirë 10-fish sa kjo këtu, që është shndërruar nga një hapësirë urbane e degraduar në një hapësirë shembullore.” tha Kryeministri Rama.
Më pas ai përmendi Fushë-Krujën, Thumanën dhe Laçin, ku lagjja e re ka përfunduar, e për të cilën Kryeministri tha që po bëhet i gjithë qyteti i rindërtuar nga e para, falë përpjekjes për ta kthyer krizën në një mundësi për të gjithë.
Po ashtu, Kryeministri Rama përmendi Lezhën, Kavajën dhe Mirditën, ku ka një tjetër lagje drejt përfundimit, si dhe Krujën ku puna sapo ka nisur, si dhe në Durrës ku puna për riparimet e thella të pallateve ka përfunduar dhe ka filluar puna për riparimet më të rënda, si dhe për lagjen e re të Spitallës.
Kryeministri Rama theksoi se përpjekjet për këtë proces kanë zgjatur dy vjet, si dhe shtoi se pandemia ka ndikuar në vonesat me procesin. Rama tha se asnjë familje, edhe ato që nuk kanë pranuar të largohen nga shtëpitë, nuk është lënë pa mbështetje, duke iu dhënë bonuse qeraje nga qeveria.
“Procesi ka pasur vështirësi sa i përket pronësisë, për të garantuar që të gjithë ata që spostohen të marrin tituj pronësie të padiskutueshëm. Mund të gjendet plot gjëra për të kritikuar por në këtë rast procesi ka qenë shembullor” tha Rama duke shtuar se edhe një pjesë e konsiderueshme e shkollave si pjesë e procesit të rindërtimit kanë përfunduar dhe tani fëmijët shkojnë në shkolla shumë më të mira se të mëparshmet.
“Këto që deri tani janë ndërtuar, së bashku me shkollat, janë ndërtuar 100% me të ardhurat e buxhetit përfshirë edhe disa kontribute. Nuk ka këtu para të botës. Dua të theksoj për të gjithë për ata që thonë ku janë paratë, të gjitha fondet e vëna në dispozion nga të tretët, nuk kalojnë përmes qeverisë shqiptare, asnjë qindarkë.
Paratë e botës, bota i shpenzon vetë, janë fonde që ata i administrojnë vetë, me projekte ku ne kemi fjalën e fundit me miratimin e projekte, me tendera që i bëjnë vetë dhe kontrata që i lidhin vetë dhe në fund dorëzojnë produktin.
Duhet të ndihemi mirë që kemi arritur të bëjmë diçka që askush nuk e imagjinonte gjatë asaj tragjedie. Sot 33 mijë familjet që u prekën nga tërmeti kanë asete që vlejnë më shumë nga çfarë kishin para tërmetit. Jo vetëm nuk u gjunjëzuam, por bëmë e po bëjmë përditë të mundur që ata të cilët u goditën të ngrihen më të fortë dhe këto shtëpi sot kanë një vlerë më të madhe se ajo që do kishin shtëpitë që fatkeqësisht u humbën nga tërmeti.
Janë vetëm 177 familje në çadër dhe marrin bonusin e qirasë dhe rrinë aty sepse nuk duan të largohen nga vendi i tyre, gjëja e gjallë. Besoj se kemi të gjitha arsyet që ta shohim me optimizëm të nesërmen dhe vitin e ardhshëm do të pastrojmë të gjitha gjurmët e tërmetit për familjet. Mbetet për t’u parë dhe do të mbyllen të gjitha duke pasur vetëm 3 superblloqet e mëdha, 5 Majit, Kombinatit dhe Spitallës që do të kërkojnë kohë”, tha Kryeministri në mbyllje të fjalës së tij.