Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në eventin e nisjes së punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Rama e nisi fjalën e tij duke i uruar shqiptarëve ta gëzonin ditën e pavarësisë e më pas falenderoi Behgjet Pacollin për bashkëpunimin në këtë ‘aventurë’ siç e quajti Kryeministri kalvarin e përpjekjeve që çuan në këtë ditë, ku më në fund po nisin punimet për të ndërtuar aeroportin e shumëpritur.
Duke treguar se sa domethënës është për historinë e vendit ky aeroport, që do të ngrihet aty ku ka qënë aerodrome i ndërtuar në vitet ’20 dhe në Vlorën ku ka qënë shkolla e parë e aviacionit në vend, Kryeministri tregoi edhe historinë disa-vjeçare të përpjekjeve për të ndërtuar këtë aeroport që u ndërpre disa herë prej rrethanave të ndryshme dhe u shty si pasojë e pandemisë.
Rama tha se Aeroporti i Vlorës është pjesë e një aleance me aeroportin e Mynihut, duke theksuar rëndësinë që kjo do të ketë në të ardhmen e këtij projekti dhe shtoi se përfaqësuesit e Mynihut e kanë ndjekur këtë projekt që ditën e parë dhe do të jenë gati ta marrin përsipër operimin e Aeroportit të Vlorës sapo të përfundojë punën konsorciumi ndërtues.
Kryeministri Rama tha se të mirat që do i vijnë vendit nga aeroporti më i ri, e cila bëhet porta e tretë në katër porta nga qielli që do të hapen, pas atij të Tiranës dhe të Kukësit, para se të nisë puna dhe për aeroportin e katërt sezonal të Sarandës që do të funksionojë drejtpërdrejt dhe në mbështetje të sezonit.
Rama shpjegoi pse duhen kaq shumë aeroporte, duke thënë se: “E gjithë logjika e industrisë botërore të turizmit është se për të pasur jo vetëm sasi, por edhe cilësi në prurjet e turistëve dhe për të synuar jo vetëm masë turistësh, por edhe atë në nivel shpenzimesh, kategorinë A të turistëve, ata që shpenzojnë më shumë, prandaj është domosdoshme që pika e mbërritjes në vendpushim të mos jetë më shumë se 45 minuta, ose maksimumi 1 orë nga pika e zbritjes në vend.
Kjo është arsyeja që na duhen 4 aeroporte në vend në këtë fazë. Ndoshta në një fazë tjetër do na duhen dhe më shumë. Aeroportet janë fabrika buke sepse rrisin të ardhurat e vendit. Sjellin konsumatorë në vend. Sa më shumë njerëz vijnë, aq më shumë vendi ka mundësi të rrisë shërbimet. Sa më shumë rrit shërbimet, aq më shumë rrit prodhimet. Turistët që vijnë janë konsumatorë.
Nuk duhet të shqetësohemi kur ndërtohen aeroporte, porte sepse të gjitha këto janë motorë të ekonomisë. Rrisin fuqinë motorike të ekonomisë sonë. Me fillimin e kësaj pune dhe fillimin në Sarandë, vendosim një sistem të ri motorësh për ekonominë”, deklaroi Rama duke shtuar se edhe në Aeroportin e Tiranës kanë filluar të ulen çmimet, e nga ana tjetër do zgjerohet terminali për të rritur kapacitetet e udhëtarëve në aeroport.
Kryeministri tha edhe se përpara vitit të ri do të nisin punimet për portin turistik në Vlorë, triportin që do të transformojë portin tregtar, portin e ri turistik të Durrësit që do të sjellë një transformim të jashtëzakonshëm ekonomik, portin e ri tregtar të Durrësit dhe portin e Sarandës ku ka nisur puna, në atë ekzistues që do të transformohet dhe në portin e Shën Gjinit.
Në mbyllje Kryeministri Rama tha se të gjitha këto investime do të jenë në proces gjatë mandatit të tretë ose drejt mbylljes si projekte, duke e ritheksuar se aeroporti është vepër historike për Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.