Kryeministri Albin Kurti ka komentuar sot marrëveshjen e Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kohën kur në SHBA ishte administrata e presidentit Donald Trump.

Kurti gjatë diskutimit në Vjenë “Kosova: Një rreze shprese për demokraci në Evropën Juglindore?”, ka thënë se marrëveshja e Uashingtonit “më shumë ishte tentim për marrëveshje të shpejtë sesa ndihmë për ecjen përpara të Kosovës dhe Serbisë”.

“Sa i përket marrëveshjes së shtatorit në Uashington, ka aq shumë elemente në atë marrëveshje, nuk po them se secili element në këtë marrëveshje nuk është i mirë, siç është njohja reciproke me Izraelin siç ishte pika e fundit dhe është implementuar dhe është pozitive. Por prapë më duhet të them se ky lloj zotimi unilateral në mes të Kosovës dhe Serbisë vitin e kaluar ishte shumë më shumë lëvizje taktike e administratës paraprake para zgjedhjeve në SHBA dhe ka pasur synim që të ndërtojë diçka të qëndrueshme për të shtruar të ardhmen e sigurt. Unë e shoh këtë më shumë si një tentim për një marrëveshje të shpejtë që do ta mbante imazhin ndërkombëtar dhe politikat vendase të ish-presidentit sesa në të vërtetë të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë të ecin përpara”, tha Kurti.

Ai gjithashtu ka komentuar marrëdhëniet Kosovë-SHBA, duke thënë se “situata tani është shumë ndryshe, për më mirë natyrisht”.

“Presidenti Biden është ndër liderët më progresiv në botë. Nëse e shohim programin e tij, është socio-demokratik për çka kemi nevoje të gjithë jo vetëm SHBA, por të gjitha vendet. Unë kisha mundësinë që në pallatin Elize në darkën që thirrur nga presidenti (Emmanuel) Macron të takohem me Kamala Harris, zëvendpresidente e SHBA. Kishte një fjalim të jashtëzakonshëm në këtë forum”, ka thënë Kurti.

Kujtojmë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.