Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar ashpër ndaj rastit të drejtorit të shkollës në Pogradec, i cili ngacmoi seksualisht 2 nxënëset e tij të mitura.
Ajo shprehet se në institucionet arsimore nuk do të ketë kurrë vend për njerëz që guxojnë të dhunojnë pafajësinë e fëmijëve tanë, qoftë edhe vetëm me fjalë apo mesazhe.

Kushi i vuri theksin rëndësinë dhe përgjegjësisë së lartë që ka shërbimi psiko-social në shkollë, i cili ndihmon që rasti të identifikohet, trajtohet dhe referohet në institucionet kompetente, duke parandaluar degradimin e mëtejshëm apo ndonjë rrezik të mundshëm abuzimi e dhune ndaj të miturve. “Detyrë e jona emergjente është forcimi dhe përmirësimi i këtij shërbimi, në bashkëpunim të ngushtë me prindërit, komunitetin, institucionet dhe shoqërinë, për të parandaluar fenomene të tilla të rënda dhe krijuar një mjedis sa më të sigurt e miqësor për të gjithë nxënësit dhe mësuesit.”., shprehet ajo.

Reagimi i plotë i Ministres Kushi:

Drejtori i shkollës në fshatin Stropckë të Pogradecit do të përgjigjet përpara drejtësisë dhe sigurisht do të marrë dënimin e merituar, sepse në institucionet tona arsimore nuk do të ketë kurrë vend për njerëz që guxojnë të dhunojnë pafajësinë e fëmijëve tanë, qoftë edhe vetëm me fjalë apo mesazhe. Por kjo ngjarje thekson rëndësinë dhe përgjegjësinë e lartë që ka shërbimi psiko-social në shkollat tona, i cili ndihmoi që rasti të identifikohet, trajtohet dhe referohet në institucionet kompetente, duke parandaluar degradimin e mëtejshëm apo ndonjë rrezik të mundshëm abuzimi e dhune ndaj të miturve.

Detyrë e jona emergjente është forcimi dhe përmirësimi i këtij shërbimi, në bashkëpunim të ngushtë me prindërit, komunitetin, institucionet dhe shoqërinë, për të parandaluar fenomene të tilla të rënda dhe krijuar një mjedis sa më të sigurt e miqësor për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Burime konfirmojnë se drejtori i shkollës 9-vjeçare, Adriatik Haxhillari në fshatin Stropckë është arrestuar.

Lidhur me ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe deputeti demokrat, Luçiano Boçi, i cili tha se kjo është një dëshmi e devijimit të një sistemi të tërë arsimor të kalbur.

Denoncimet për ngacmime seksuale ndaj të miturve kanë qenë të shpeshtë ditët e fundit, ku vetëm 2 ditë më parë një rast i tillë u denoncua në Gjirokastër. Prindërit e një 16-vjeçarje denoncuan të afërmin e tyre, 53-vjeçarin me inicialet K.H., me akuzën se ka abuzuar seksualisht për 4 vite me të miturën. Gjykata vendosi sot për 53-vjeçarin masën e sigurisë 45 ditë burg, ndërsa vetë ai i mohoi akuzat e ngritura. Ai ka deklaruar se të miturën e ka trajtuar si vajzën e tij, duke e akuzuar se ajo ka kryer marrëdhënie seksuale me një 32-vjeçar.