Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku siguron se të gjithë banorët të cilët preken nga zhvillimi i lagjes së re tek “5 Maji” do të marrin metrat e ndërtimit që kanë pasur dhe plus për tokën. Duke folur për Klan News, Mazniku theksoi se në bazë të vendimit të qeverisë përfitues janë dhe ata posedues objektesh të cilët janë ende në proces legalizimi.
“Për sa i përket njerëzve që banonin në zonë, janë kryesisht dy kategori: Banorë të cilët kanë qenë pronarë të objekteve dhe të truallit dhe kemi prej këtyre në fakt 84 familje të tilla. Këta janë duke u shpronësuar me mekanizmin që quhet “Shpronësim me shkëmbim”. Ata do të marrin të gjithë metrat që kanë sot dhe gjithashtu një sasi metrash të caktuara për tokën dhe truallin e tyre. Gjithashtu kategoria e dytë, 51 familje, kanë aplikuar për legalizim, por për arsye të caktuara si lumi, vendi ku ndodhen, apo arsye të tjera nuk janë legalizuar dot, e për këto familje Këshilli i Ministrave ka vendosur sërish që dhe ky grup të trajtohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Këto familje do të marrin sërish metër për metër sipërfaqen që ata kanë sot. Pra, secila prej kategorive që gjenden aty do të jenë përfituese”, tha Mazniku teksa solli si shembull rastin e një prej qytetareve që ka dalë në protestë e cila do të përfitojë po aq metra katrorë sa ka por tashmë edhe me dokumente të rregullta.
“Liz Marku ka 356.6 metra katror ndërtim, të ndërtuar në kundërshtim me ligjin, të pa legalizuar, por vendimi i Këshilli të Ministrave ka vendosur ta shpallë atë fituese për 356.4 metra katror. Pra ekzaktësisht sipërfaqen që ajo ka do ta marrë sërish në ndërtesat e reja. Jo vetëm do të marrë sipërfaqen e re, por nëse këtë e ka të pahipotekuar apo një objekt të paligjshëm të ndërtuar me standarde të këqija, pa një kontroll teknik, do të marrë të njëjtën sipërfaqe, por me hipotekë, të trashëgueshme, të shkëmbyeshme në treg, pra një pronë të mirëfilltë me vlerë shumë herë më të madhe se ajo që ka”, tha Mazniku.
Ai sqaroi se banesat e reja që do marrin këta banorë do të jenë në po atë zonë.
“Kemi filluar ndërtimin në ato zona që ishin toka publike, toka të bashkisë. Ndërtimet në fakt u vonuan pikërisht prej këtij procesi se do të kishim filluar që përpara një viti. Po të kishim filluar afërsisht para 7 muajsh më përpara do të kishim avancuar shumë e më shumë me ndërtimin por, me çlirimin e territorit do ndërtohen në atë zone. Aty ka një seri objektesh dhe brenda këtij viti në fakt një pjesë e vogël familjesh të dëmtuara nga tërmeti do të kenë mundësi të futen në shtëpitë e reja dhe një pjesë e tyre në muajt në vijim”, deklaroi Mazniku.
Nënkryetari Mazniku thotë se gjatë gjatë periudhës së ndërtimit të lagjes së re, banorët do të trajtohen me bonus qiraje nga Bashkia.