Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet në Kombinat, ku po merr formë lagjja e re “KombinArt”, ku do strehohen familjet e zones, te cilat mbeten p shtepi pas termetit te nentorit 2019.
Kryebashkiaku Veliaj tha se janë ndërtuar dy pallatet e para në Kombinat, teksa do të ndërtohen në total 40 të tillë, me një cilësi shumë herë më të mirë se pallatet që u shembën nga tërmeti i 26 nëntorit.
“E gjithë zona e Kombinatit Tekstil pronë – shtet, do kthehet në një kantier gjigant ndërtimi. Një pjesë e kantierit do jenë ndërtime të reja, si ky pallat 8 katësh, pastaj pjesa tjetër vijon në formë U-je, me një shesh të brendshëm, me godina 3-katëshe. Një pjesë tjetër e kantierit do jetë restaurim i asaj që ne e quajmë trashëgimi monumentale, industriale, siç mund të jenë oxhaqet, kapanonet e vjetra të Kombinatit Tekstil. Pra nuk do jetë vetëm një zonë banimi, por do ndërtojmë edhe një hapësirë ku njerëzit shkojnë në punë, ku vijnë edhe disa institucione dhe universitete”, sqaroi Veliaj.
Më tej, kreu i Bashkisë kërkoi bashkëpunim nga të gjithë qytetarët që banojnë në zonën e Kombinatit, që të firmosin kontratat në mënyrë që të hyjnë sa më shpejt në shtëpitë e reja që po ndërtohen, ashtu siç ndodhi me banorët e lagjes së re “5 Maji”.
“Kush ka pronë që i është njohur ndër vite dhe i ka bërë letrat, do trajtohet si pronar toke dhe do marrë metrat katrorë që i takojnë; kush ka shtëpi qoftë edhe të pa legalizuar, por që ka bërë kërkesën për legalizim, edhe pse toka është e shtetit dhe ambienti është i zënë, do i marrë metrat katrorë siç i ka. Kush kishte parukeri, kush kishte farmaci, dyqan, pra kush kishte garazhe, kush kishte shërbime, do vazhdojë të japë shërbime”, nënvizoi Veliaj, teksa bëri një ftesë për banorët e Kombinatit: “Ftesa për të gjithë banorët e Kombinatit është: Të firmosin kontratën në njësinë administrative. Kontratat me firmën time kanë ardhur, tani duhet të firmosin banorët. Dhe si banorët e “5 Majit”, kush besoi i pari do të futet i pari në shtëpi”.
Kombinati do të jetë një Pol i ri kulturor në kryeqytet, jo vetëm me banesa të reja për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, por duke u shndërruar në një hapësirë për atelietë e artistëve dhe artizanëve. Të gjitha godinat do të jenë bashkëkohore, ku do ketë të gërshetuara sheshe urbane, objekte arsimore dhe sigurisht do të rritet edhe cilësia e jetës në këtë lagje të re të Kombinatit.