Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri të ditur se qeveria ka miratuar sot dy projektvendime, ku i pari lidhet me përditësimin e listës së artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, ndërsa i dyti që synon të nxisë vullnetarizmin, duke i siguruar transport, akomodim, ushqim, po edhe me një pagesë dinjitoze.
Peleshi: Sot u miratuan dy projektvendime.
1-Përditësimi i listës së artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, që kanë riskun e përdorimit për qëllime të ndryshme nga ato primaret që janë të ekspozueshme. Ky është një detyrim që buron nga BE për përafrimin e legjislacionit, por nga ana tjetër edhe për të rritur sigurinë tonë kombëtare.
2-Synon të nxisë vullnetarizmin. Pas ’90 vullnetarizmi nuk ka pasur ditë të mira, por sot jemi krenarë për dhjetra dhe qindra vullnetarë që na bashkohen në përpjekjet tona jo vetëm nën fushën e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes, por ehe përballja me fatkeqësitë natyrore me emergjencat civile. Aty kemi nevojë gjithmonë për vullnetarë, por me këtë vendim ne i japim mundësi institucioneve që t’i trajtojnë me dinjitet vullnetarët. Tani kemi mundësi të trajtojmë me transport, akomodim, ushqim, po edhe me një pagesë dinjitoze të gjithë vullnetarët që përfshihen në aksionet tona të përbashkëta.