24 vjeçari i cili u përfshi mbrëmjen e djeshme në një aksident me makinën e eskortës së Sali Berishës është vënë nën hetim.
Aksidenti ku u përfshinë tre makina ka ndodhur teksa ish-kryeministri po kthehej nga Foltorja në Kurbin. Sipas policisë, shkak i aksidentit me tre të lënduar është bërë manovra e gabuar e mjetit tip ‘Benz’ që drejtohej nga 24-vjeçari, Ardi Mulliqi nga Kosova.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 19:00 të së premtes në autostradën Milot-Mamurras, ku drejtuesi i ‘Benz’-it me targa të Kosovës pasi ka dalë nga karburanti ka përplasur një tjetër “Benz ” që drejtohej nga Sali Lozi, ndërsa ky i fundit ka goditur nga pas mjetin shoqërues të deputetit Sali Berisha. Të tre automjetet qarkullonin në një sens lëvizjeje, në korsinë e shpejtësisë. Për pasojë janë lënduar tre persona që ndodheshin në benzin me targa të Kosovës të cilët pas mjekimit janë larguar në banesa.
Makina ku udhëtonte ish-kryeministri ka mundur të devijojë pa u aksidentuar. Për këtë ngjarje reagoi edhe Ervis Tusha, truproja i Berishës i cili tha se shkak i aksidentit ishte ‘Benz’-i i bardhë me targa kosovare.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor “.