Duke nisur nga viti i ardhshëm, në të gjithë territorin e vendit do të ketë një abetare unifikuese. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi theksoi gjatë një konference për mediat se janë në bashkëpunim me autoritetet e arsimit në Kosovë që kjo nismë të zhvillohet edhe atje, nën moton “një abetare, një gjuhë, një komb”.
Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka ndërmarrë nismën për të shpallur ditën e alfabetit, Ditë Kombëtare në Shqipëri. Gjatë aktivitetit “Një gjuhë, një abetare”, ajo u shpreh se 22 nëntori është një ditë e rëndësishme e identitetit kombëtar dhe këtë gjë duhet ta mbrojmë fort edhe në të ardhmen.
“Doja tju infomuar se kam ndërmarrë nismën për t’i kërkuar qeverisë që 22 nëntori, dita e alfabetit të shpallet edhe në Shqipëri ditë kombëtare. Duke qenë një ditë e rëndësishme e identitetit kombëtar, duke qenë një ditë e rëndësishme e gjithçkaje që shënjon në atë që ne jemi dhe duhet ta mbrojmë fort edhe në të ardhmen. Përpjekjeve 170-vjeçare të formumit të abetareve do të jenë përpjekje të reja të shtuara nga studiuesit tanë për të patur një monument, një abetare falë këtij projekti që nis një gjuhë një abetare”, u shpreh Nikolla.