Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka mbajtur ditën e sotme një takim me kryetarët e bashkive në qarkun e Fierit. Takimi vjen vetëm pak ditë pasi kryeministri Edi Rama mblodhi kryebashkiakët e vendit dhe i kritikoi për mënyrën sesi është menaxhuar sektori i ujësjellësit deri më tani.
Gjatë fjalës së saj, Balluku u ndal në investimet e kryera në këtë qark, por edhe tek keqmenaxhimi i burimeve njerëzore. Ministrja zbuloi shifrat e punonjësve, që sipas saj ishin shumë herë më të larta, sesa është e nevojshme për 1000 abonentë.
Mallakstra, shprehet Balluku, është kampione pasi për 1000 abonentë ka 16 punonjës.
“Eficenca e stafit për ne është komponent i rëndësishëm i keqmenaxhimit të sektorit kudo në Shqipëri e veçanërisht në Fier. Sipas të gjitha llogaritjeve 1000 abonentëve i përkasin 4.6 punonjës. Ky është indikatori, ndërkohë Fieri dhe Lushnja e kapërcejnë këtë me pak. Fieri me 5.5 punonjës për 1000 abonentë dhe Lushnja me 5,4 që është edhe e tolerueshme. Divjaka ka 12.2 punonjës për 1000 abonentë. Patosi ka 12. 5. Roskoveci ka 9.1 dhe Mallakastra kampione e cila ka marrë më shumë investime 16. 1. E cila ka marrë edhe më shumë investime. Keni 4 herë më shumë nga ç’duhet të keni në Ujësjellës. 16 punonjës për 1000 kontrata abonentësh nga 4.6 që mund të keni. Shifër shumë e lartë.”