Po intensifikojmë përpjekjet për fuqizimin dhe riintegrimin e grave viktima të dhunës në shoqëri, përmes punësimit dhe për së pari, ndihmës së menjëherëshme ekonomike, që është pikërisht pagesa e ndihmës ekonomike për cdo grua viktimë të dhunës. Me buxhetin 2022 rrisim mbështetjen për gratë viktima të dhunës me trefishimin e ndihmës ekonomike” – Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në Kuvend, në Ditën Botërore të Eleminimit të Dhunës ndaj Grave.
Duke folur për buxhetin 2022, Manastirliu tha se ky buxhet është buxheti i qytetarëve, që rrit mburojën sociale jo vetëm për gratë viktima të dhunës por për të gjithë ata qytetarë që janë më vulnerabël.
“Rritjen e pagesës direkte të ndihmës ekonomike do ta përfitojë cdo familje që është pjesë e kësaj skeme, në masën 10%. Ndërsa do të dyfishojmë ndihmën ekonomike për 15 mijë familjet e kësaj skemë që kanë 3 fëmijë deri në 18 vjeç. Përvec grave viktima të dhunës dhe trafikimit, trefishimin e masës së ndihmës ekonomike do ta përfitojnë edhe fëmijët me status jetimi”, tha Manastirliu.
Përsa i përket shërbimeve sociale në territor në mbështetje të planeve sociale të bashkive por edhe në mbështetje të strategjisë për riintegrimin social dhe përfshirjen sociale, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se do të jenë të dedikuara rreth 320 milionë lekë për qendra të reja sociale në territor dhe për ndërmarrjet sociale, si dy instrumenta efektiv, Fondi Social dhe Ndërmarrjet Sociale që aktivizojnë në territor shërbime të reja sociale për grupet e pafavorizuara.
Me buxhetin 2022 janë parashikuar mbi 27 miliard e 850 milionë lekë për programet e mbrojtjes sociale.