Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nga qendra e re shëndetësore në Selitë, ku ka ndjekur vaksinimin kundër gripit, tha se procesi ka ecur me ritme shumë të mira.

“Unë jam e kënaqur që vetëm në 3 javë ne kemi arritur që të vaksinojmë kundër gripit stinor më shumë se 104 mijë qytetarë. Ne do të vijojmë me vaksinimin kundër gripit sepse të gjitha qendrat shëndetësore janë furnizuar me më shumë se 200 mijë vaksina, të cilat kanë mbërritur tashmë në vend dhe janë shpërndarë kudo në qendra shëndetësore”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit në qendrën e re shëndetësore në Selitë, Manastirliu ka ndjekur nga afër edhe procesin e vaksinimit anticovid, ku deklaroi se ka filluar tashmë aplikimi me dozat ‘booster’ apo dozat përforcuese të vaksinës.

“Ne kemi filluar tashmë me dozat përforcuese, dozat e treta. Gjithashtu edhe me vaksinimin e fëmijëve të grupmoshës +16 vjeç dhe për fëmijët +12 vjeç, të cilat kanë problematika të sëmundjeve që lidhen me imunitetin. Më shumë se 15 mijë vaksinime doza të treta janë kryer përgjatë këtyre ditëve të para të muajit nëntor”, tha Manastirliu.

Këto deklarata Ministrja e Shëndetësisë i bëri nga qendra shëndetësore Selitë në periferi të Tiranës, e rindërtuar plotësisht nëpërmjet programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. Manastirliu u shpreh se ky program do të vijojë edhe me buxhetin 2022.
“Qendra shëndetësore e Selitës është rehabilituar plotësisht me programin kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, program i cili tashmë kalon në një fazë të dytë të zgjerimit të tij. Në fazën e dytë, ne projektojmë që të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat në të gjithë vendin të kenë standardet e shërbimit, ashtu si këto qendra tashmë të rehabilituara e kanë”, tha Manastirliu.
Buxheti 2022 për shëndetësinë është 7 miliard lekë më shumë ose, 12.6 % nga plani fillestar i buxheti i vitit 2021. Investimet për vitin 2022 për

Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së bashku me finacimin e partnerëve, arrijnë në vlerën 3 miliardë lekë. Pjesë e këtyre investimeve është edhe vijimi i programit kombëtar të 300 qendrave shëndetësore. Me buxhetin e ri do të financohet rehabilitimi i 50 qendrave në të gjithë vendin.

Një prej shtyllave të rëndësishme të buxhetit 2022 është financimi i programit kombëtar të vaksinimit masiv anticovid, për të cilin është alokuar shuma prej 2.7 miliard lekë. Programi i vaksinimit anticovid po vijon edhe me dozën e tretë. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,963,359 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Mbi 1 milion qytetarë e kanë kryer të paktën një dozë të vaksinës anticovid.