Ka mbaruar seanca në Gjykatën Kushtetuese, ku u shqyrtua kërkesa e Shoqatës së Bashkive për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019. Vendimi pritet të jepet në 30 ditët e ardhme, ku Kushtetuesja do të shprehet nëse zgjedhjet kanë qenë apo jo anti-kushtetuese. Vitore Tusha mësohet se është shprehur para palëve se vendimi do t’u komunikohet palëve brenda afateve.

Ndërkohë, nga kjo gjykatë u kërkua edhe verifikimi i procesit të regjistrimit të partisë “Bindja Demokratike” në zgjedhjet lokale të 2019. Seanca në Gjykatën Kushtetuese vjen pas opinionit të Komisionit të Venecias, i cili theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta ketë në kompetencën e saj gjykimin si anti-kushtetues apo jo të një proces zgjedhor, por kjo nuk e pengon që të ushtrojë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor.

Për opinionin e “Venecias”, përfaqësuesi i Shoqatës së Bashkive, Jordan Daci deklaroi gjatë seancës së sotme se komisioni e ka gabim kur thotë se ‘Kushtetuesja’ nuk e ka këtë kompetencë. “Komisioni i Venecias ka injoruar gjithë praktikën e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut. Referuar ligjit, Gjykata Kushtetuese duhet ta gjykojë çështjen”, tha Daci.