Ish- presidenti, Bamir Topi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” , ka folur për ngjarjet në Partinë Demokratike dhe faktin se tashmë, shpresë e vetme e kësaj partie ka mbetur Sali Berisha, 30 vjet pas vendosjes së pluralizmit.
“Shoh që ka një inflacion të jashtëzakonshëm të kësaj teme në cdo emision. Është katastrofike, sepse unë sot, nuk mendoj kurrë që çështja është tek një sigël.
Përgjithësisht në demokraci, individi vendoset në funksion të një kauze. Këtu në mënyrë shumë graduale, kronike dhe kemi konstatuar që kjo ka ndodhur edhe para syve tanë, vit pas viti.
Sot kemi një betejë midis dy profileve, midis dy individëve, të cilët nuk mendojnë përtej fatit të tyre. Tek ata nuk ekziston asnjë kontratë morale, politike. As mund të mendojnë se janë nominuar për të bërë atë që i mungon Shqipërisë, opozita.
Nëse Berisha ka realizuar një kontratë me demokratët në përgjithësi, Lulzim Basha ka realizuar një kontratë me Sali Berishën ndër vite.
Ajo që konstatoj, se të gjithë ata që kanë menduar ndryshe, janë në dëshpërim të thellë.
Mbetem pa fjalë para këtij fati, që shpresa ka mbetur te Berisha. Jo se ata kanë besim tek Berisha. Ata e dinë se e ardhmja politike e PD-së, apo të djathtës, nuk është Berisha. Ata po luajnë me klimën e negativizmit që ndodh tek njeriu në mënyrë reflektikve.
Janë njerëz që së paku janë mashtruar një herë nga Basha, shohin profilin e një njeriu mashtrues, që në mënyrë publike, ka demonstruar mungesë totale të sinqeritetit”, tha Topi.