Etika në fjalimet e deputeteve ka marrë një pjesë të mirë të diskutimeve në seancën maratonë të kuvendit që ka nisur një ditë më parë.
Deputetët duhet të diskutojnë projekt buxhetin e vitit 2022, por nuk kanë mundur të kursejën ironitë dhe ofendimet ndaj njëri-tjetrit.
Kulmi i debateve ishte të hënën, kur kryeministri etiketoi deputete e PD-së Jorida Tabaku si “balon tabake”.
Deputeti Taulant Balla, kërkoi sot të ruhet etika dhe të respektohet rregullorja e kuvendit të Shqipërisë.
Por, kryebashkiaku Lulzim Basha kundërshtoi Ballën, duke thënë se rregullorja vlen më pak se letra higjenike në tualetet e kuvendit, për sa kohë atë nuk e respekton mazhoranca e sidomos kryeministri Rama.
“Kjo është një bllok bosh, është dhe një dyfletësh tjetër, nuk e di se çfarë është, ky është Kodi i sjelljes së deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, që është një harxhim kriminal i parave dhe taksapaguesve të OSBE-së, këtë ia kam thënë ambasadorit paraardhës dhe ia them dhe këtij të riut që ka ardhur.
Këtu në këtë Kuvend ka kriminel, këtu tani që flasim ka anëtarë të krimit të organizuar në kartelat e sistemit të inteligjencës së policisë së shtetit. Në kartelat e Europolit, në kartelat e Interpolit, në kartelat e FBI-së, në kartelat e DEA-s, janë kriminel të ulur këtu. Ka dhe bedel të organizatave kriminale në kuptimin e Konventës së Palermos, jo më në kuptimin e retorikës politike. Të atyre që quhen grupe të strukturuara kriminale, edhe sipas kodit penal të Republikës së Shqipërisë. Dhe mbi të gjitha, këtu mbrapa, ulet dikush i cili ka përdorur fyerjet më të rënda, gjuhën më të ulët që njeh fjalori shqiptar, në veçanti ndaj zonjave në këtë parlament, tash 8 vite.
Pastroni sallën nga kriminelët dhe politikanët me kontakte të papërshtatshme. Kjo është e para, deri në atë moment më shumë vlen letra e banjos në tualetet e Kuvendit, se sa kjo këtu”.