Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot mesazhin e futbollistit Redi Jupi, i cili bën apel për t’u vaksinuar kundër COVID-19.
Në mesazhin e tij sensibilizues, Jupi shprehet se vaksinimi është edhe një shenjë solidariteti me të tjerët.
“Kur sheh njerëz të cilët kjo sëmundje e keqe, Covidi, i ka marrë pa i dhënë vetes mundësinë të mbrohen, është një peng i madh. Çfarë alternative na jep mosvaksinimi? Asnjë alternativë nuk shoh te kjo gjë. Vaksinimi është edhe një shenjë solidariteti me të tjerët”, tha Jupi.
Çdo qytetar mbi 16 vjeç, mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqendruar. Vaksinat antikovid reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.
Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku. Gjithashtu ka nisur vaksinimi me dozën e tretë, sipas rekomandimit të mjekut të familjes.