Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në kuadër të fushatës për rritjen e ndërgjegjsimit të qytetarëve, për vaksinimit ndaj COVID19, ka publikuar mesazhin e gazetarit të njohur Arjan Konomit.
Konomi u bën thirrje qytetarëve të kryejnë vaksinimin ndaj COVID-19 duke nënvizuar se kjo sjellë vetëm të mira për shëndetin e tyre.
“U bëj thirrje që të gjithë personave nisur nga eksperienca ime që bëra vaksinën pa pasur as më të voglin ngurrim ta bëjnë vaksinën, t’i besojnë shkencës se vetëm të mira ka pasur njerëzimi dhe njeriu nga këto”, thotë Arjan Konomi.
Në rrëfimin e tij Konomi i referohet të kaluarës për të ilustruar rëndësinë e vaksinimit.
“Kur ka dalë vaksina e parë në 1760 kundër lisë së zezë, kjo vaksinë u shpik në Londër dhe asnjë nga universitetet mjekësore të Europës si Sorbona dhe i Vjenës nuk e pranonin çështjen e vaksinës dhe kishte mbetur zbulimi vaksinës një rezultat i një mjeku anglez. i cili nuk arrinte dot të bindte dot mendjet më të ndritura të mjekësisë dhe shkencës për punën e vaksinës, imagjino pastaj popullsinë. Dhe kur kam shkruar jetën e Katerinës së Rusisë, Perandores ruse, ajo ishte personi parë që thirri mjekun nga Londra. Kur u mor vesh ky fakt, perandoritë europiane që ishin në konflikt me Rusinë prisnin që Katerina të vdiste nga kjo, gjë që nuk ndodhi. Ky ishte shembulli i parë emblematik në histori se si vaksina pritej me një skepticizëm shumë të madh dhe duhej një kurajo shumë e madhe. Vetëm një person si Katerina e Rusisë do të gjente këtë kurajë. Kanë kaluar afro 300 vjet që nga ajo kohë dhe shkenca ka ecur aq shumë. E vetmja gjë që nuk ka ecur me shpejtësi jo vetëm marramendëse por me një shpejtësi të ngadaltë është mentaliteti i njerëzve, frikërat, paragjykimet mendimet se diçka mund të jetë obskurantiste, që të gjitha në një farë mënyrë janë si gjueti e shtrigave në mesjetë më duken mua paradoksale, për të menduar për njerëzimin në cilat hapa është sot”, shprehet Konomi.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për të rritur me tej sensibilizimin për rëndësinë e vaksinimit ndaj COVID-19.