Pati shumë transferime të rëndësishme në verën e këtij viti, por asgjë nuk ishte më e çuditshme për tifozët e futbollit sesa të shihnin Leo Messin dhe Sergio Ramosin të veshur me një fanellë të ndryshme nga ajo e Barcelonës dhe Real Madridit.
“La Pulce” dhe “Gran Capitan” kanë qenë simbolet (dhe kapitenët) e dy emrave të mëdhenj në Spanjë për mbi 15 vite, një situatë që dukej e destinuar të vazhdonte deri në “pensionimin” e të dyve. Në vend të kësaj, “revolucioni” i madh ndodhi dhe të dy gjetën të njëjtin klub të ri. Pas më shumë se një dekade përplasjesh fizike dhe verbale, argjentinasi dhe andaluziani janë bashkëlojtarë te PSG.
LEO DHE SERGIO – Dhe si janë gjërat mes tyre? Një pyetje më se legjitime, duke pasur parasysh se për vite me radhë, një nga fotot e kopertinës së çdo “El Clasico” ishte përplasja e Sergio Ramos me Messin, kur kapiteni i “Los Blancos” merrte kartonin e kuq kundër Barcelonës (kjo i ndodhte shpesh). Shkaku? Kishte sulmuar dhunshëm këmbët e argjentinasit.
Prandaj, ta shohin veten në të njëjtën anë të llogores është një përvojë krejtësisht e re. Rivalitetet e së kaluarës nuk janë zhdukur plotësisht. Kjo u zbulua për “L’Equipe” nga një burim anonim brenda klubit parizien, i cili shpjegoi se qëndrimi i Sergio Ramos me shokët e tij të rinj është absolutisht pozitiv, “pa asnjë dallim”. Ose të paktën… pothuajse.
DHJETË VITE – I pyetur për marrëdhënien me Messin, burimi i gazetës franceze kufizohet duke e cilësuar atë si “të përzemërt”. Për të shtuar më pas se “të dy nuk mund t’i fshijnë kollaj dhjetë vitet e El Clasico”. Me pak fjalë, është bukur të jesh në të njëjtin ekip, sepse nuk ka rrezik që të përfundojnë keq, siç ndodhi me një përpikëri të caktuar kur Ramos dhe Messi u përballën me fanella të ndryshme.
Jo se si bashkëlojtarë kanë pasur shumë mundësi për të qenë në fushë, ngaqë ish-kapiteni i Realit, për shkak të një serie të gjatë problemesh fizike, praktikisht nuk u stërvit kurrë me lojtarët e tjerë të PSG-së; as ka debutuar akoma. E kush e di se çfarë mund të ndodhte nëse Pochettino vendos t’i fusë në skuadra të ndryshme, gjatë ndeshjeve të kontrollit…