Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca gjatë vizitës së saj në Turqi u takua me homologun Aleksandar Stijović.

Në një reagim në lidhje me takimin e zhvilluar Krifca theksoi se Mali i Zi është një nga fqinjët me të cilët Shqipëria ka ende shumë potencial për të rritur bashkëpunimin ekonomik.

Homologët u ndalën tek politika e përbashkët për mbrojtjen e bimëve, për të cilat Krifca ka kërkuar nënshkrimin sa më parë të marrëveshjes së përbashkët, por edhe lehtësimin praktik të kontrolleve fitosanitare.

Gjithashtu, gjatë takimit mes ministrave një nga pikat e diskutimit mes palëve ishte edhe ndërmarrja e angazhimit të përbashkët në rritjen e numrit të bizneseve ndërkufitare në fushën e turizmit rural.

Më tej, Krifca dhe Stijović diskutuan lidhur me vijimësinë e rritjes së bashkëpunimit për menaxhimin e përbashkët të rezervave peshkore dhe nxitjen e eksporteve të prodhimeve shqiptare të peshkimit.

Në përfundim të takimit, ministrat u shprehën optimistë në forcimin e bashkëpunimit dypalësh tek zhvillimi rural mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, por gjithashtu edhe në aspektin rajonal dhe atë evropian.